Terek Grozni, Roshi, tjetër gol në eliminimin nga Kupa

Terek Grozni nuk kualifikohet në çerekfinalen e Kupës së Rusisë edhe pse goli i shënuar nga sulmuesi shqiptar, Odise Roshi e riktheu ekipin në lojë. Rrjeta e sulmuesit fierak barazoi përkohësisht rezultatin që e mbajti skuadrën e tij në lojë pas disavantazhit të përkohshëm në sfidën kundër Ural UFA. Takimi i zhvilluar në Çeçeni u mbyll me rezultatin 1-1 pas 120 minutave, por Terek Grozni, gaboi më shumë se kundërshtarët nga lotaria e 11-metërshave. Ndeshja nisi me një gol të shpejtë të realizuar nga skuadra mike me autor Igboun që në minutën e 11.
Roshi arriti të barazonte shifrat në të 55-ën, duke rikthyer shpresën te ekipi çeçen. Gjithsesi, deri në fund shifrat nuk ndryshuan dhe sfida shkoi në kohën shtesë, ku rezultati nuk ndryshoi. Roshi u aktivizua për 103 minuta në këtë sfidë, ndërsa Balaj e nisi titullar dhe ishte i pranishëm në fushë deri në fundin e takimit. Ishte sulmuesi shkodran, ai që mori përsipër ekzekutimin e penalltisë së parë dhe nuk gaboi nga pika e bardhë, duke e transformuar në gol goditjen e tij. Më pas, Piriz dhe Samenov nuk u treguan të saktë, duke shkaktuar eliminimin e ekipt çeçen nga raundi i 6 i Kupës së Rusisë. Ky është goli i dytë i shënuar nga Roshi për skuadrën ruse, pas atij të pak ditëve më parë në përballjen ndaj Rubin Kazan.

Exit mobile version