Tërhiqet edhe Kaçaj: “Bindja” fasadë e Ramës për instalimin e regjimit, mbështes protestat

Pas tërheqjes së kandidatit për Bashkinë e Skraparit, nga Devi Habibasi, një tjetër kandidat i Bindjes Demokratike vepron njësoj dhe deklaron se refuzon të bëhet fasadë e Ramës në farsën zgjedhore dhe mbështet protestat e opozitës.

Salvador Kaçaj, kandidat për qarkun e Lezhës, është tërhequr nga gara. Kacaj i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku shpjegon arsyet pse ka marrë atë vendim.

Ai shkruan se e ka vlerësuar propozimin për të përfaqësuar BD-në në zgjedhjet e 30 qershorit, por rrethanat momentale dhe informacionet e këtyre ditëve, e kanë bërë ta rishikojë vendimin.

Letra e plotë: NJOFTIM MBI TËRHEQJEN NGA KANDIDIMI
Gjatë gjithë jetës sime profesionale dhe politike kam qenë pjesë e shumë garave, shumicën e tij të cilave i kam fituar. Edhe propozimin për të përfaqësuar Bindjen Demokratike në 30 Qershor e vlerësova si një mundësi për të marrë pjesë në një garë për të mirën e Lezhës.

Disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve më kanë nxitur të rishikoj vendimin për të qenë kandidat në zgjedhjet e 30 Qershorit nën siglën e Bindjes Demokratike.

U jam mirënjohës qytetarëve dhe miqve të vërtetë që më bënë të kuptoj se ajo ku kisha pranuar të hyja nuk ishte një garë e vërtetë, por farsë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës.

Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë në 30 Qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjthë Shqipërisë.

Jo gjithmonë kam përkrahur vendimet politike të Partisë Demokratike, por gjykoj se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë. Kjo e bën sot Partinë Demokratike të vetmen alternativë që përfaqëson realisht vlerat europiane.

Për këto arsye, deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për Bashkinë e Lezhës, duke iu bashkuar kauzës së Partisë Demokratike dhe opozitës për mbrojtjen e demokracisë deri në fitore. Me respekt, Salvador KAÇAJ.

Artikulli paraprakRaporti në Vjenë: Kokaina nga Amerika Latine hyn në Durrës, Shqipëria e zhytur në krim e korrupsion
Artikulli tjetërBasha në Shkodër, në inagurimin e memorialit të viktimave të komunizimit