Edhe pse ishte futur me ngulm në rendin e ditës rikthimi në Parlament i dekretit të Presidentit për kamerat e sigurisë, PS ndryshoi mendim dje në fillim të seancës. Me kërkesë të Partisë Socialiste, shumica hoqi nga rendi i ditës së seancës plenare dekretin e Presidentit Nishani për të cilin pak ditë më parë mazhoranca u përça në Komisionin e Sigurisë së Kuvendit.
Kërkesa e kryetarit të Grupit të PS erdhi vetëm dy ditë pas një debati të ashpër në Komisionin e Sigurisë ku Rama humbi mazhorancën gjatë diskutimit të këtij dekreti. Vetëm 6 nga anëtarët socialistë të Komisionit të përbërë nga 13 anëtarë votuan për rrëzimin e dekretit të Presidentit. Megjithë negociatat e gjata të zhvilluara mes Ramës dhe Metës në lidhje me rrëzimin e këtij dekreti deri dje nuk ishte gjetur mirëkuptimi mes PS dhe LSI. Në sallën e Kuvendit në momentin kur do të diskutohej dekreti ishin vetëm 64 deputetë të mazhorancës në një kohë që mazhorancës i duheshin 71 vota.
Kërkesa e Ruçit për ta hequr nga rendi i ditës votimin për dekretin e Presidentit është kundërshtuar nga kryetari i Grupit të PD, Paloka, i cili deklaroi se kjo është një shkelje e hapur e Rregullores së Parlamentit dhe për këtë opozita paralajmëroi se do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese.
Tërheqja nga votimi e një pike të futur në rendin e ditës është prova më e qartë e krizës në koalicionin qeverisës. Rama nuk e ka më mazhorancën dhe ai nuk mund të kalojë në mënyrë të njëashme ligjet, të cilat i interesojnë. Opozita dhe LSI e kanë kundërshtuar vendosjen e kamerave të sigurisë si një veprim që cenon liritë e individëve, pasi askund nuk mund të ekzistojë një ligj që të detyrojë të gjitha bizneset dhe banorët e pallateve që të blejnë kamera duke i shndërruar të gjithë qytetarët në objekt të survejimit. Këto janë praktika të ngjashme me ato të Sigurimit famëkeq të Shtetit, veçse tani të sofistifikuara me teknologji të re.
Për më tepër ky ligj i hartuar për interesa të mirëfillta politike të Ramës dhe Tahirit, i cili do të jetë edhe njeriu që do të survejojë me këtë ligj të gjithë shqiptarët është hedhur poshtë edhe nga asistenca ndërkombëtare. Misionet amerikane të ICITAP dhe të atij europian të PAMECA-s janë shprehur kundër miratimit të këtij ligji duke e konsideruar atë si të dëmshëm.