Tërhiqet Mesi!

Vështirë ta keni parë ndonjëherë kaq të prekur, në lot pas humbjes së asaj penalltie dhe dështimit të Argjentinës në finalen e saj të tretë radhazi, Lionel Mesi, ylli i futbollit botëror pas disfatës ndaj Kilit, bëri të ditur lajmin sensacional se i jep lamtumirën kombëtares në moshën 29-vjeçare.
“Po mendoja në dhomat e zhveshjes, kaq ishte. Nuk do të luaj më me kombëtaren, kjo ishte finalja ime e katërt, nuk bën për mua. Doja më shumë se çdo gjë tjetër që të fitoja, por nuk ishte e thënë. Kaq ishte”.
La Seleccion nuk fiton një trofe prej 23 vitesh dhe Mesi, goleadori më i mirë në historinë e Argjentinës me 55 finalizime, kapiten dhe yll absolut i kësaj skuadre lë kombëtaren pas 113 ndeshjeve të luajtura dhe 11 vjetësh me fanellën “Albiceleste”. Në katër finale të luajtura me përfaqësuesen, në Kupën e Amerikës 2007, 2015 dhe 2016 dhe në atë të Botërorit 2014, Mesi nuk ja ka dalë të lërë shenjë, duke mos shënuar dot asnjë gol.
Lionel Mesi, pesë herë fitues i Topit të Artë, rekordmen i golave me Barcelonën dhe në La Liga, ka shënuar 453 herë me fanellën blaugrana dhe 312 gola në kampionatin spanjoll, koleksionist titujsh, 8 trofe të La Ligas, 4 Champions League dhe 28 trofe në total me Barcelonën, nuk do të veshë me fanellën “Albiceleste”. Me hashtagun “#NotevayasLeo”, (Mos ik Leo) të apasionuarit e futbollit janë duke i kërkuar në rrjetet sociale që të vazhdojë të luajë me Kombëtaren. Lajmi për largimin e tij nga përfaqësuesja po përjetohet si një dramë e vërtetë në Argjentinë.
Tifozët e Argjentinës nuk e kanë pritur aspak mirë lajmin se, Lionel Mesi do të pensionohet nga futbolli ndërkombëtar, pas humbjes nga Kili në finalen e Kupës së Amerikës. Një veprim i tillë nga lojtari, prej të cilit presin më shumë, ka irrituar tifozët argjentinas. Në rrjetet sociale, këta të fundit ia shtojnë edhe më shumë dhimbjen Mesit.
“Nuk ka më asnjë dyshim për dallimin mes Leos dhe Diego Armando Maradonës. Maradona nuk do ta braktiste kurrë kombëtaren, ai mbetet ende lojtari më i madh që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skuadrën, e që nuk ka për t’u përsëritur ndonjëherë në fushat e futbollit”.
Mesi sulmohet gjithashtu edhe për shkak se preferon të luajë më shumë me Barcelonën. “Është mirë të luash me ‘blaugranat’, apo jo?!” pyesin me ironi tifozët e shokuar nga tërheqja e Leos.
Pas dështimit në finale të Kupës së Amerikës, Argjentina mund të mbetet pa disa yje. Pas Lionel Mesit, i cili tashmë ka paralajmëruar pensionimi, nga ekipi argjentinas pritet të largohen edhe disa yje të tjerë.
Këtë e ka konfirmuar sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero pas humbjes në finale nga Kili. “Unë dhe disa lojtarë të tjerë jemi duke menduar të pensionohemi nga ekipi Kombëtar. Kjo humbje ka qenë më e dhimbshme sesa humbja në Kupën e Botës në Brazil”, ka deklaruar ai.  Kurse, sipas mediave në Amerikën e Jugut nga Argjetina pritet të tërhiqen edhe Javier Mascherano, Lucas Biglia, Ever Banega, Ezequiel Lavezzi dhe Angel Di Maria.

Exit mobile version