Jupp Heynckes largohet nga pankina e Bayern Munichut dhe arrin Niko Kovac, i cili tashmë ka filluar planifikimin për sezonin e ardhshëm. Trajneri i ri është i hapur për përforcime, por edhe revizionim të grupit aktual, me synimin për të qenë më konkurrues, si në Bundesliga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Sidoqoftë, ai dëshiron të ketë një ekip më të vogël, se ai i tanishëm. Për ta bërë këtë, do të shesë katër lojtarë të rëndësishëm të ekipit, nga të cilët mund të fitojë një shumë të mirë parash, për t’i shpenzuar pastaj me ndonjë yll në merkato, siguron “Bild”. Katër lojtarët që mund të nxirren në shitje janë: Thiago Alcántara, Arturo Vidal, Jerome Boateng dhe Juan Bernat.
Së bashku, ata kapin një vlerë tregu deri në 152 milionë euro, sipas portalit “Transfermarkt”. Spikat Thiago Alcántara, që vlen 60 milionë euro. Mesfushori spanjoll është në një nga ekipet më të mira, edhe pse problemet e tij me lëndimet e kanë penguar atë të luajë gjithçka që do të dëshironte. Gazeta gjermane thotë se nuk ndihet mjaftueshëm mirë dhe për këtë arsye mund të kërkojë një rrugëdalje, duke kaluar në ndonjë klub që i pëlqen.
Në atë kohë, ai u largua nga Barcelona për 25 milionë euro për të shkuar me Pep Guardiola në “Allianz Arena”. Me siguri, më shumë se një tifoz, do të dëshironte të shihte kthimin e tij në “Camp Nou” si trashëgimtar i Xavi Hernandezit, megjithëse nuk do të ishte i lirë për planet e Barcelonës.