Vendimi sensacional i Torinos gjatë natës. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, presidenti Urbano Kairo ka vendosur të shkarkojë trajnerin Sinisa Mihajloviç pas derbit italian të Kupës, kundër Juventusit. Largimi nuk do të vijë aq shumë për humbjen kundër bardhezinjve, por, me sa duket, për lojën e ekipit në periudhën e fundit. Në fakt, performanca e Torinos duket se ka zhgënjyer drejtuesit e klubit, gjë e cila është shoqëruar me vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me trajnerin serb.
Sipas raporteve nga e përditshmja sportive në Milano, uljet dhe ngritjet në rezultate, shoqëruar me lëndimet e shumë lojtarëve kyç, sfidat e fundit zhgënjyese kundër SPAL dhe Genoa, kanë peshuar rëndë në këtë vendim, i cili do t’i komunikohej Mihajloviçit me telefon. Me të dëgjuar lajmin, një delegacion i lojtarëve, i udhëhequr nga Andrea Belotti, dhe duke përfshirë Ljajiç, Baselli dhe Niang, e vizituan trajnerin serb në hotel dhe i shprehën dashurinë e tyre, duke i thënë se ekipi ishte me të.
Mihajloviç, i befasuar, mësohet se i ka përqafuar djemtë e tij dhe disa lot i kanë rrjedhur nga sytë. Shkarkimi zyrtar nga klubi “granata” pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme, ndërkohë që për gjetjen e zëvendësuesit të tij kanë filluar bisedimet. Torino, sipas “Sky”, në këto orë është duke reflektuar mbi profilin e trajnerit të ri, por duket se në “pole position” për vendin e Mihajloviç do të jetë ish-trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, aktualisht pa ekip, pas largimit nga Watford (me të cilin ai ka ende një vit kontratë). Kontaktet vazhdojnë midis palëve në kërkim të marrëveshjes, e cila duket gjithnjë e më shumë e mundshme. Mihajloviç e lë Torinon në vendin e 10-të të renditjes, me 25 pikë, 5 më pak se Sampdoria, e cila aktualisht zë vendin e 6-të, çka në fund të sezonit do t’i jepte qasje në “Europa League”.
Skuadra e Juventusit ka kaluar në gjysmëfinale të Coppa Italia, pas fitores 2:0 ndaj rivalit të qytetit, Torino. Golat për vendësit i shënuan Douglas Costa dhe Mario Mandzukiç. Juventus kështu bëhet skuadra e katërt që kalon në gjysmëfinale, ku do të luaj ndaj Atalantas, që mbrëmë eliminoi Napolin. Në gjysmëfinalen tjetër do të takohen Milan dhe Lazio.