Tërmeti i Bankers rrënon banesat në Patos Marinzë, qeveria hesht

Çdo qeveri shqiptare në nxitjen e biznesit niset nga dy parime kryesore. I pari është ndihma përmes legjislacionit që kompanitë e biznesit kërkojnë me qëllim që të mblidhen taksat, të cilat ndihmojnë jo vetëm në pagesat për sektorin shtetëror, por edhe për programe sociale. Ndërkohë e dyta është rritja e prodhimit vendas të një produkti vendas dhe në rastin e Bankers Petroleum, të naftës, që ne e kemi konsideruar “ari i zi”. Megjithatë çdo qeveri shqiptare duhet të ketë prioritet në këtë aktivitet jetën e qytetarëve. Ka disa ditë që qytetarë të zonës Patos Marinzës janë në protestë për shkak të lëkundjeve sizmike që po ndodhin në atë zonë dhe ata mendojnë se këto shkaktohen nga veprimtaria e kësaj kompanie. Dyshimet se tërmetet në zonën e Fierit janë rezultat i aktivitetit minerar të kompanisë Bankers Petroleum janë të forta. Fieri nuk ka një strukturë të ndryshme gjeologjike nga Berati, Lushnja apo Vlora. Por tërmetet bien vetëm në këtë qytetet, e veçanërisht në zonat me aktivitetin më të lartë të nxjerrjes së naftës. Çuditërisht vendosja e pajisjeve sizmike për të përcaktuar shkakun përfundimtar të tërmeteve vazhdon të zvarritet dhe sabotohet pafund. Arsyet gjenden tek Ministria e Energjisë, e cila duhet të mbrojë interesat e publikut, por në fakt vazhdon të heshtë përballë tmerrit që po përjetojnë banorët e Zharrëzës. Ministria e Energjisë duhet të detyronte kompaninë Bankers Petroleum të instalonte me shpenzimet e veta, aparaturat e posaçme sizmike për të kryer matjet e nevojshme. Por duket qartë se, mes ministrisë së Gjiknurit dhe kompanisë ka një marrëveshje të heshtur, për të mos bërë asnjëherë matje.

Pak histori

Në nëntor të vitit 2013, qeveria e majtë që sapo kishte ardhur në pushtet, deklaroi se do të zgjidhte përfundimisht problemin e tërmeteve në zonën e Fierit. Në atë kohë zëvendësministri i energjisë, Ilir Bejtja deklaroi se Ministria e Energjisë do të instalonte 5 pajisje të posaçme në terren, të cilat do të saktësonin në mënyrë përfundimtare se cili ishte shkaku i tërmeteve, faktorët natyrale apo aktiviteti i kompanisë Bankers Petroleum. “Duke qenë se kjo mbetej një pikë e errët, u vendos që të investohej për marrjen e një software dhe të disa stacioneve, stacionare dhe të lëvizshme që do të vendosen në zonën e Patos Marinzës dhe të ndërhyhet menjëherë për gjetjen dhe shkakun e lëvizjeve”, deklaroi Bejtja në një intervistë në 26 nëntor të vitit 2013. Sipas Ministrisë së Energjisë, i gjithë procesi do të merrte nga 3 deri në 6 muaj kohë dhe nëse testet do të përcaktonin se shkaku ishte Bankers, qeveria do të detyronte kompaninë të dëmshpërblente plotësisht banorët dhe të ndryshonte metodën e shpimit. Por testet nuk u zhvilluan asnjëherë, ose më saktë, rezultatet e tyre nuk u bënë publike kurrë. Prej tre vjetësh, ministria e drejtuar nga Damian Gjinkuri hesht edhe pse aktiviteti sizmik në zonën e Fierit vazhdon me intensitet të lartë, duke vënë në rrezik jetën e banorëve dhe duke shkatërruar masivisht banesat e tyre. Megjithatë ka një pikëpyetje se në tetor 2016, Bankers Petroleum u shndërrua në një kompani nën varësi të Geo-Jade Petroleum Corp dhe në krye u vendos zoti Wu Fengliang. Ky i fundit ka një eksperiencë prej 34 vjetësh në fushën e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror. Ndërkohë që fakt është se tronditjet e tokës janë shtuar edhe pas ndërrimit të menaxhimit të kompanisë, ndërkohë që interesi publik ka rënë në zero.

Metoda e shpimit

Tërmetet e shkaktuara nga kompanitë e naftës, ekspertët i kanë përcaktuar si tërmete të shkaktuara nga procesi i “injektimit të ujërave toksikë” (“Wastewater injection proces”). Bankers Petroleum injekton ujëra të përziera me rërë dhe kimikate me presion të lartë për të çarë formacionet shkëmbore me qëllim që të çlirohet gazi. Proçesi, i cili ndryshe njihet si çarja hidraulike, (hydraulic fracturing) është gjetur në shumë raste si shkaku i drejtpërdrejtë i tërmeteve. Rasti më flagrant është ai i Oklahomës. Në vitin 2011, shteti i Oklahomës u përball me një tërmet 5.7 ballë të shkallës Richter, i cili shkatërroi dhjetëra shtëpi dhe dëmtoi rëndë infrastrukturën rrugore. Testimet e mëvonshme, faktuan se tërmeti ishte rezultat direkt i metodave të shpimit të përdorura nga kompanitë e naftës. Pas daljes së rezultateve, qeveria e Shteteve të Bashkuara detyroi kompanitë të kompesonin plotësisht dëmin si dhe të ndryshonin metodat e përdorura në nxjerrjen e naftës.

Miliarda të pataksuara

Bankers Petroleum nënshkroi një kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare në vitin 2004, në bazë të së cilës, fitonte të drejtën për të shfrytëzuar burimin e naftës Patos-Marinzë, fusha më e madhe naftëmbajtëse në Shqipëri. Megjithatë, aktualisht në ditët e sotme duhet që të veçohet se kjo kompani është një kompani sekondare nën mbulesën e Geo-Jade Petroleum Corp. Kontrata koncesionare parashikonte që Bankers duhej të investonte për të rritur prodhimin e naftës dhe duhej t’i paguante qeverisë shqiptare 50 për qind normë fitimi, pasi të shlyente investimet fillestare. Që nga fillimi i punës, ka pasur ankesa me supozimin se Bankers kryen shpenzime të tepërta për të mbajtur kompaninë me humbje në vijimësi dhe për të shmangur në këtë mënyrë pagesën e tatimit mbi fitimin. Duke u përballur me këtë realitet, qeveria shqiptare vendosi një taksë të posaçme të njohur si “renta minerare” në vitin 2009, në masën 10 për qind mbi prodhimin, por ia njohu këtë taksë të re si kosto e zbritshme. Nga viti 2004 që ka ardhur në Shqipëri kompania ka realizuar gati 3 miliardë dollarë të ardhura nga shitjet e naftës, sipas të dhënave publike nga Instituti i Statistikave. Por deri më tani, kompania nuk ka paguar asnjë lekë tatim mbi fitimin, pasi prej 13 vitesh deklaron vetëm humbje nën hundën e autoriteteve shqiptare.

5 deputetë i kërkojnë Ramës ndërhyrje urgjente

5 deputetë të mazhorancës dhe opozitës i janë drejtuar me një letër Kryeministrit Edi Rama ku i kërkojnë ndërhyrje urgjente të zgjidhjes së shpërthimeve që kryen kompania e naftës Bankers Petroleum dhe që ka dëmtuar mjaft shtëpi dhe biznese të zonës. Janë bërë bashkë Petrit Vasili dhe Robert Bitri i LSI-së,  Omer Mamo i PDIU–së të cilëve u janë bashkuar edhe deputetë të opozitës si Bedri Miha dhe Kozma Dashi të PD-së. “Duke e vlerësuar si tepër të rëndë dhe shumë kritike situatën e krijuar në Zharrëz me lëkundjet e krijuara që kanë dëmtuar shtëpitë e banorëve, deputetët kanë listuar një sërë kërkesash.
1.    Një komision për verifikimin edhe zgjidhjen e situatës të kryesohet nga zv/kryeministri dhe në përbërje të jenë ministrat e energjetikës, ekonomisë, financave dhe pushtetit lokal dhe ekspertë të pavarur në njohjen e naftës dhe gjeologjisë.
2.    Të shpallet gjendja e emergjencës dhe të trajtohen banorët sipas ligjit për gjendjen e emergjencës.
3.    Të fillojë zhdëmtimi dhe riparimi i menjëhershëm i dëmeve.
4.    Të përcaktohet në mënyrë përfundimtare dhe pa asnjë ekuivok shkaku i lëkundjeve për të pasur zgjidhje të situatës.
5.    Të bëhet hetim administrativ mbi zbatimin e kontratës nga Bankers Petroleum.
6.    Komisioni të fillojë sa më parë punën dhe të japë zgjidhje të situatës që brenda muajit janar.
Ditët e fundit banorët e kësaj zone kanë protestuar vazhdimisht për këtë çështje, ndërsa janë përplasur edhe me policinë.

Exit mobile version