Tërmeti/ Presidenca dhe ILDKP anulojnë tenderat. Lleshaj 2 miliardë lekë për makina e kamera

Institucionet publike kanë “refuzuar” në masë Urdhërin e Ministres së Financave, Anila Denaj, për ndalimin e tenderave të rinj, pas situatës tragjike të shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, ku humbën jetën 51 qytetarë dhe u shkatërruan me mijëra apartamente.

Në një shkresë të datës 2 Dhjetor 2019, Ministria e Financave informoi të gjithë institucionet e administratës publike se, në zbatim të situatës së ‘Fatkeqësisë Natyrore”, ndër të tjera, “do të ndalohen të nënshkruajnë kontrata të reja që janë në proces prokurimi apo të ndërmarrin procedura të reja prokurimi me fondet publike”.

Por, këtij urdhërimi duket se i janë bindur vetëm dy institucione. Në Buletinin e Prokurimit Publik të datës 10 Dhjetor 2019, rezulton se Presidenca dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) kanë anuluar procedurat e prokurimit në zhvillim.

Sipas të dhënave zyrtare, Presidenca ka vendosur anulimin e tenderit për blerje pajisjesh kompjuterike, me vlerë 1.9 milionë lekë të reja, referuar urdhërit të Ministrisë së Financave, “Mbi prioritetin e pagesave në kushtet e emergjecës së Fatkeqësisë Natyrore”.

Po ashtu, ILDKPKI, në zbatim të urdhërit të Ministrisë së Financave, ka vendosur anulimin e tenderit për “Blerje sistemi Audio-prezantimi”.

Ndërkohë, asnjë institucion tjetër nuk i është përmbajtur Urdhërit të Ministrisë së Financave për të hapur tendera të rinj.

Në krye të listës qëndron “Illyrian Guard” sh.a, një strukturë e re në varësinë e Ministrisë së Brendshme, e cila ka shpallur një tender të ri, me vlerë 1.5 miliardë lekë (të vjetra), ndërkohë që ka shpallur së fundmi fituesit e 4 tenderave të tjerë.

Vlera totale e fondeve publike, të tenderit të ri dhe të tenderave të sapo-shpallur, pra të dyja kategori të përfshira në ndalimin e vendosur nga Ministria e Financave, arrin në një total prej rreth 2 miliardë lekë të reja.

Asnjë prej tenderave të “Illyrian Guard” sh,a, të publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 10 Dhjetor 2019, nuk përfshihet në atë që konsiderohen “emergjentë” dhe nuk janë të asaj natyre që të kontribuojnë në rikuperimin e pasojave të tërmetit tragjik.

Më konkretisht:

– “Illyrian Guard” sh.a ka shpallur tenderin për “marrje me qera operacionale (leasing) automjete, për një periudhë 48-mujore. Fondi limit për këtë tender është 1.53 miliardë lekë (të vjetra). Ofertat për këtë tender priten deri në datë 30 Dhjetor 2019.

– “Illyrian Guard” ka shpallur një bashkim kompanish për tenderin “Krijim Rrjeti Data”, me vlerën mbi 80 milionë lekë të vjetra, bashkë me TVSH.

– “Illyrian Guard” ka shpallur fituesin e tenderit për “Blerje Uniforme”, me vlerë mbi 70 milionë lekë të vjetra, bashkë me TVSH.

– Illyrian Guard” sha ka shpallur të njëjtën kompani fituese për dy tendera; “Marrëveshje kuadër Akses Kontrolli”, me vlerë 90 milionë lekë të vjetra (bashkë me TVSH), si edhe tenderin “Marrëveshje kuadër për Sisteme vëzhgimi dhe alarmi”, me vlerë mbi 90 milionë lekë të vjetra.

“Illyrian Guard” sh.a është një shoqëri aksionare, me pronar 100% shtetin, e përfaqësuar nga Ministria e Brendshme. Kjo shoqëri u krijua me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 177, dt. 04.04.2019 dhe ka si objekt të veprimtarisë së saj “ofrimin e shërbimeve me pagesë, kundrejt subjektevve të treta, publike ose private, në fushën e rendit e të sigurisë, teknologjisë së informacionit”.

Mbi bazën e kësaj VKM-je, të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim (pra jo vetëm në pronësi) objekte shtetërore, duhet t’i drejtohen kësaj shoqërie për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike.

/Boldnews.al

*Në foto – Lista e tenderave

1 5

Exit mobile version