Tërmeti trondit sërish Italinë

Frika nga tërmeti ka “mbërthyer” sërish Italinë Qendrore, e cila është goditur mëngjesin e djeshëm nga një lëkundje 4.8 ballë. Mësohet se epiqendra ka qenë mes Maceratas dhe Umbrias. Lëkundjet që u ndjenë edhe në Ancona, u regjistruan rreth orës 8:56.
Sakaq, njerëzit të tmerruar kanë dalë nëpër rrugë, ndërsa nuk dihet nëse ka të lënduar apo jo. Mediat italiane bëjnë me dije se forcat e ndihmës së parë dhe zjarrfikësit ndodhen në terren, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Vetëm para pak ditësh, një tërmet i fuqishëm prej 6.5 ballë goditi të njëjtën zonë, duke shkatërruar disa godina, ndërsa mbi 40 mijë persona kanë mbetur të pastrehë. Sakaq, nuk kanë munguar edhe lëkundjet pasuese, të llogaritura në 200 të tilla. Epiqendra e tërmetit të 30 tetorit, lëkundje që u ndjenë edhe në Umbria, Ancona dhe Romë, ka qenë Komuna e Norcias, mes Perugias e Maceratas, në një thellësi prej 10 km.
Mes godinave që u shembën ishin edhe Bazilika San Benedeto dhe Katedralja Santa Maria në Norcia, simbol i rezistencës nga kjo dukuri natyrore. Tërmeti i tri ditëve më parë konsiderohet më i fortë se ai famëkeqi i 24 gushtit, ku humbën jetën 290 persona, si dhe u plagosën qindra të tjerë, ndërsa konsiderohet më i fuqishmi në këto dekadat e fundit në Itali. Po ashtu, më 26 tetor Italia Qendrore u godit nga disa tërmete, ku dy ishin më të fuqishëm, 5.9 dhe 5.4 ballë, ku për pasojë humbi jetën një person, ndërsa pati shumë dëme materiale.

Exit mobile version