Terror kolektiv, Rama shkarkon të gjithë drejtorët e spitaleve

Terrori i kërcënimeve dhe presioneve kolektive përmes shkarkimeve në grup, ashtu si në kohën e regjimit komunist pas hipotekave, Rama e ka transferuar në Drejtoritë e Spitaleve. Dje ai u shfaq para mediave duke akuzuar pikërisht drejtorët e spitaleve mbi situatën katastrofale ku ndodhet shëndetësia sot, megjithëse personi i parë që duhej shkarkuar për rrënimin e këtij sistemi është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili do të mbahet mend gjatë si kampioni i vjedhjes përmes tenderave e koncesioneve në qeverisjen Rama.
Duke iu drejtuar krerëve të spitaleve se, të gjitha kostot e keqmenaxhimit dhe mosfunksionimit normal të sistemit shëndetësor në vend kanë ardhur si pasojë e përzgjedhjes së tyre nëpërmjet tepsisë së pushtetit, Rama deklaroi largimin e tyre të menjëhershëm. Duke iu referuar në mënyrë indirekte drejtuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në fakt kanë një pjesë të mirë të drejtimit në sistemin shëndetësor në vend ai tha. “Edhe ju keni qenë pjesë e tepsisë për sa kohë jeni produkte i saj. Është turp që më 2017 që infermierët të punësohen nga partitë politike. Punësimi do të bëhet përmes platformës online, ashtu siç është vepruar me mësuesit. Rekrutim me transparencë maksimale dhe sistem konkurrueshmërie. Nuk është e thënë të jesh me një parti apo të jesh krushka apo kushërira e dikujt për t’u futur në sistem. Do të jetë një sistem transparent”, u shpreh Rama.
Pas takimit që kryeministri Rama zhvilloi me drejtorët e spitaleve dhe të Shëndetit Publik, ku iu dha ultimatum që sot të paraqesin dorëheqjen e tyre, ka ardhur dhe reagimi i parë nga radhët e Partisë Demokratike. Është deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili nëpërmjet një statusi në Facebook ironizon kreun e qeverisë.
“Z. Rama sot për shëndetësinë: Nuk ka çfarë t’i bëjë gomarit dhe i bie samarit!
‘Gomari’ është reforma në shëndetësi e nisur nga Rilindja katër vite më parë nën devizën ‘Shëndetësi Falas’, politizim ekstrem i sistemit dhe i drejtuesve të tij, varfëri e tejskajshme e shëndetësisë sonë, denigrimi i mjekëve e i personelit etj., këto janë shkaqet kryesore të këtij dështimi ciklopik në shëndetësi, të cilin edhe vetë Kryeministri e konfirmoi sot.
‘Samari’ janë këta drejtorë mjeranë të spitaleve që u shkarkuan sot, duke u etiketuar padrejtësisht si shkaktarët e dështimit, kur në të vërtetë janë veçse produkt i politikave dështuese të aplikuara prej vetë z. Rama.
Mjeranë, sepse asnjë nga ata nuk pati kurajon të rebelohet ndaj ofendimit që iu bë; ndoshta duke i quajtur si shkak i dështimit të një sistemi të tërë, iu duk vetja i rëndësishëm për një çast.
Këto ishin disa nga perceptimet e mia prej kësaj ceremonie të sotme, që ngjante me një vaki të asaj reforme të destinuar të vdiste që ditën që lindi, për vetë absurditetet e hapësirat korruptive mbi të cilat u ndërtua”.

Artikulli paraprakTabaku: Nuk janë njerëzit është sistemi
Artikulli tjetërBerisha: Këshilltari i Bashkisë, i dënuar për prostitucion, si mik i Arben Çukos