Dy shpërthime të fuqishme kanë tronditur Stambollin mbrëmjen e sotme. Gjithçka ka ndodhur pranë stadiumit “Besiktash”, vetëm disa minuta pas ndeshjes Besiktas-Bursaspor.
Së paku 13 persona kanë vdekur në sulmin me makinë bombë që ndodhi sonte në Stamboll, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Televizioni turk NTV, raportoi se në shpërthimin e makinës bombë objektiv ishte një autobus me policë. Shpërthimi ka ndodhur dy orë pas përfundimit të ndeshjes se futbollit të zhvilluar në stadiumin e Beshiktashit, ku sulmi ndodhi pranë këtij stadiumi.
Pas shpërthimit, ministri i Brendshëm turk, tha se nuk ka informacione nëse ka të vdekur dhe se informacionet e para tregojnë për policë të plagosur. AP ka njoftuar se pas shpërthimit, janë dëgjuar edhe të shtëna me armë, ku sipas këtij burimi dëshmitarët kanë treguar për një sulm të armatosur mbi policinë.
Pak më parë ishte njoftuar se kishte vetëm 20 policë të plagosur, por më vonë fatkeqësisht bilanci tragjik u rrit me 13 viktima.
Sipas ministrit të Brendshëm turk, dyshohet për autobombë. Mes të plagosurve sipas tij ka edhe policë.
“Dyshohet se ka qenë një autobombë në vendin ku po dilte autobusi i forcave policore, pranë daljes së tifozëve të skuadrës Bursaspor. Ka rreth 20 të plagosur. Nuk kam informacion për dëshmorë. Shpresoj që të mos ketë”, thotë ministri Soylu.
Ndërkohë Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Brendshme Süleyman Soylu dhe prefektin e Stambollit, Vasip Şahin ku ka marrë informacione mbi ngjarjen.
Këshilli i Radio Televizionit Kombëtar të Turqisë (RTÜK), ka njoftuar se është vendosur për ndalimin e publikimeve në lidhje me shpërthimin e ndodhur në afërsi të stadiumit të Beşiktaş-it.