47-vjeçari Adrian Kallami u gjet i varur në banesën e tij në fshatin Barbullush të Shkodrës. Familjarët e 47-vjeçarit pretendojë se policia e ka torturuar dhe i ka ushtruar presion psikologjik, duke e çuar drejt vetëvrasjes të ndjerin.
“Është arrestuar nga polica pa pasur faj ditën e shtunë. Faj i gjithë rëndon mbi punonjësit e policisë, të cilët e kanë rrahur”, shprehet kushrëriri i Kallamit, që shton se përgjegjës janë dy shefat e krimeve të komisariatit.
Vëllai i Adrianit thotë se policët e kanë goditur në fyt, dhe se njeri prej tyre e ka pohuar vetë këtë gjë. Ai shton se i ndjeri nuk dinte të shkruante dhe të lexonte. Sipas të vëllait, 47-vjeçari nuk kishte kryer vjedhjen për të cilën e fajësonte policia, dhe se në komisariat e kanë detyruar të firmosë një deklaratë, që ai vetë nuk dinte t’a lexonte, pasi nuk dinte të shkruante dhe të lexonte.
Adrian Kallami u arrestua ditën e shtunë nga policia për vjedhje.
Në njoftimin paraprak të Policisë pas vetëvrasjes së tij, thuhej se 47-vjeçari është gjetur i vetëvarur nga familjarët, por pa shenja dhune në trupin e tij.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryeministrit Berisha. “Krim i shemtuar shteteror! Polocia dhunon, torturon dhe çon në vetëvrasje qytetarin 48 vjeçar, Ardian Kallami! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Z Berisha përshëndetje, deshta me denancu nji krim shtetnor që ka ndodhur sot në Barbullush. Në baz dyshimesh policia arreston e keqtrajton fizikisht e psikoligjikisht kushrinin tem Ardjan Kallami 48 vjeç, i randum nga dhuna ai sot u vetvra, unë jam Françesk Zefi”.