Biznesmeni nga Fieri që tentoi të ndalë grabitjen nga maskat në pikën e këmbimit valuator ndërroi jetë sot në spitalin e Traumës në kryeqytet. Agur Vernozi mbeti i plagosur një ditë më parë në përpjekje për të ndaluar grabitjen e pikës së këmbimit valutor. Bashkë me të mbeti i plagosur dhe pronari i exchange-it.
Tre autorët e ngjarjes u arrestuan pak orë më vonë nga ana e Policisë, në përpjekje për t’u larguar së bashku me çantën e parave që kishin marrë. Tre autorët e grabitjes me pasojë vdekjen janë: Zini Fyraj, 37 vjeç, banues në Sevaster, Vlorë. Lulëzim Demiraj, banues në Vajzë, Vlorë, Dashamir Gergali, 41 vjeç, banues në Zhupan, Fier.
Pika e këmbimit valutor është grabitur në orët e paradites së djeshme në qendër të Fierit. Një kalimtar ka hyrë për të ndihmuar pronarin, por është qëlluar me pistoletë në kokë nga grabitësit, të cilët më pas janë larguar. I plagosuri është Agur Vrenozi, i cili u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Fierit dhe është në gjendje kritike për jetën. Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, ai ndërroi jetë sot.
“Çohuni se na vranë”!
Një dëshmitar tregon se, pronari i pikës së këmbimit valutor, Gëzim Hoxha së bashku me bashkëshorten bëri rezistencë dhe kërkoi ndihmë. “Po kërkonte ndihmë ai i valutës dhe ajo gruaja brenda, por njeri nuk u afrua fare. Policia nuk ishte. Më pas erdhi Aguri mori karrigen time dhe e godet, por në atë kohë ai qëllon. Unë isha pas Agurit dhe rashë menjëherë që mos më merrte plumbi. Ata ishin dy veta të maskuar me automatik. Më pas ikën në këmbë. “Çohuni o popull”, thashë unë se na vranë. Policia erdhi pas gjysmë orë. Kurse ambulanca erdhi më vonë, pas policisë”, tregon dëshmitari.
Dy burrat janë përleshur me dy grabitësit, të cilët qëlluan të paktën dy herë me armë zjarri. Një plumb e ka kapur në kokë 53-vjeçarin Vrenozi, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës. Ndërkohë Gëzim Hoxha ka marrë dëmtime me sende të forta. Por pavarësisht pasojave që lanë pas, grabitësit që në total ishin tre persona, janë larguar nga vendngjarja me një makinë me targa të falsifikuara, duke marrë edhe një sasi parash.