Philip Mudd, CNN
Terrorizmi nuk është vetëm një akt dhune. Terrorizmi është një deklaratë politike, është vrasja për arsye politike e njerëzve të pafajshëm. Në vitet e para pas sulmeve të 11 shtatorit, etiketimi si terroristë i sulmeve të Al-Kaedës dukej i drejtpërdrejtë: kjo shihej tek objektivat e zgjedhura nga udhëheqja e Al-Kaedës dhe ndjekësit e trajnuar apo të frymëzuar që morën përsipër zbatimin e tyre.
Dhe përgjegjësia qe e qartë, përderisa organizata në përgjithësi pranonte autorësinë e sulmeve dhe rrallë i mohonte. Sot, individë apo grupe të vogla që përpiqen të “çertifikojnë” sulmet e tyre si terroriste duke pretenduar për besnikëri ndaj ISIS-it, duken si faza e ardhshme e terrorit, me Shtetin Islamik që ndërsa mbështet sulmet nuk ka as rol organizues dhe as kontakte direkte me sulmuesit: Në Francë dhe në vende të tjera evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, nga festimet për festën kombëtare në Nisë, tek një klub homoseksualësh në Orlando dhe në një festë kolegësh të një organizate joshtetërore në San Bernardino.
Një proces i ngadaltë. Ajo që duket të jetë një evolucion tek terrori, nga operacionet e centralizuara e të drejtuara nga një grup kryesor terroristësh, tek një lëvizje më e largët dhe e frymëzuar ideologjikisht nga ISIS-i, fsheh një pyetje të madhe: a është tek e fundit ajo që ne po shohim terrorizëm?
Terrorizmi i Al-Kaedës
Arkitektët origjinalë të sulmeve të 11 shtatorit, nga shefi operativ i Al-Kaedës Khalid Sheikh Muhamed, nëpërmjet asaj që atëherë qe një organizatë me synime dhe motive të përcaktuara qartë, si dhe të artikuluara gjatë deklaratave publike në vitet 1990. Ata kundërshtuan praninë amerikane jashtë vendit dhe urrenin kulturën amerikane. Motivimi politik i sulmeve të tyre ishte i qartë: Frikësoni Amerikën për të braktisur tokat myslimane dhe aftësia e Al-Kaedës për të sunduar qeveritë lokale do të rritet.
Sipas pikëpamjes së tyre, Amerika ishte themeli që ndihmonte liderët e korruptuar të ruanin pushtetin e tyre. Largoni Amerikën dhe përshpejtoni largimin e udhëheqësve të korruptuar lokalë. Akoma më tej, lojtarët kryesorë të Al-Kaedës qenë të qartë në angazhimin e tyre. Fokusi i tyre i vetëm mbi një luftë disa dekadëshe në mos shekullore kundër fuqisë perëndimore orientonte zgjedhjet e tyre.
Shumë shpejt përgjatë viteve 2000, grupet e lidhura me Al-Kaedën ndërmorën sulme në të gjithë botën, nga Afrika në Azinë Jugore dhe më tej në Lindje, në Indonezi dhe më gjerë. Ashtu si partnerët e tyre të Al-Kaedës, qëllimet e tyre ishin ngjashëm të qarta dhe objektivat e udhëheqja e tyre me një mendësi të ngjashme.
Ata ishin brezi i ardhshëm i terroristëve të Al-Kaedës, me emra të ndryshëm, zona të ndryshme të funksionimit, si dhe baza të ndryshme rekrutimi, nga Al-Shabaab në Somali tek Al-Kaeda e Gadishullit Arabik, tashmë në Jemen. Ata përzien ideologjinë e frymëzuar nga Al-Kaeda dhe objektivat me një interes tek sulmet lokale, duke rezultuar herë pas here në dallime mbi strategjinë me thelbin origjinal të Al-Kaedës.
Terrori i rritur brenda vendit
Terrori i rritur në vend e goditi Amerikën përherë e më dukshëm teksa dekada po konsumohej, me grupimet e të rinjve si Al-Shabaab në Kepin Horn të Afrikës dhe Al-Kaedës në Jemen. Mediat sociale e përshpejtuan këtë radikalizim, duke iu dhënë individëve gjerësisht të shpërndarë, qasje tek një ideologji, e cila ishte shumë më pak e arritshme, madje edhe deri pas sulmeve të 11 shtatorit. Individët që i motivuan ata ndanë rrugën al-kaediste të të menduarit, duke filluar me një ideologji të fokusuar tek spastrimi i zonave myslimane, rrëzimin e udhëheqësve rajonalë dhe përgatitjen e popullatave në ato zona për agimin e asaj që Al-Kaeda e pa si Epoka e Artë.
Por këta terroristë u quajtën gabimisht “si të rritur në shtëpi”: Ata mund të kenë qenë të frymëzuar në vende të izoluara, pa qasje tek Al-Kaeda apo filialet e saj, por ishin të lidhur me një lëvizje globale që udhëhiqej nga xhihadistë të përkushtuar, të cilët e përdorën terrorin për qëllime të qarta politike. Kjo ishte Al-Kaeda e dhunës së kontrolluar në të shkuarën.
Në të kundërt, ISIS-i i tanishëm është më i dhunshëm, më pak i kontrolluar, më pak selektiv në lidhje me rekrutët dhe më pak të interesuar nëse sulmuesi i përmbahet apo jo ideologjisë së tij. Al-Kaeda kishte një strukturë të rreptë udhëheqëse dhe logjike – ajo i lidhte sulmet që kryente me një strategji afatgjatë.
Shënjestrat mund të justifikoheshin, madje edhe sipas interpretimit të tyre të Islamit dhe duhej t’i përmbaheshin një kodi të caktuar të sjelljes terroriste. Shteti Islamik nuk ka kufizime të tilla dhe as një kod të ngjashëm. E gjitha dhuna e kryer prej tij, në emër të tij, ose kundër një armiku të përbashkët është e pranueshme, e mirëpritur. E përqafuar.
Vrasësit e Shtetit Islamik
Tashmë, disa vite nën sulmet e ISIS-it, kemi ende një brez vrasësish që shihen si përsëritje në të ardhmen e këtij kërcënimi. Një mysliman që mund të ketë ndonjë afërsi me idetë e ISIS-it pa takuar ndonjëherë një anëtar të organizatës dhe që duket gjithashtu të ketë një problem personal – një problem martesor, një luftë psikologjike – vret dhjetëra njerëz në një vend që nuk është gjithmonë lehtësisht i identifikueshëm si një objektiv politik.
A është sulmi kundër një klubi nate gei, një protestë e xhihadit kundër homoseksualitetit apo reagim i një individi ndaj një demoni personal? Ka dy arsye për të cilat ne duhet të zhvendosemi nga linja e sotme e terrorit – mesa duket sulmet e rastit për motive të diskutueshme – dhe terrorizmi i djeshëm, i kryer nga revolucionarët islamikë të motivuar politikisht, duke filluar me Osama bin Ladenin.
Së pari, është e gabuar. ISIS është shndërruar, për disa vrasës, në një justifikim për kryerjen e akteve të dhunës që janë të motivuar nga urrejtja e një individi, por nganjëherë jo nga ajo që e njohim bashkërisht si terrorizëm, përdorimi i dhunës ndaj të pafajshmëve për një qëllim politik. Disa prej këtyre autorëve duket se pretendojnë se ISIS-i qe frymëzimi i tyre, pasi frymëzimi i vërtetë është më pak ideologjik. Disa qenë emocionalisht të krisur. Ata mund të kenë pasur një lloj interesi tek ISIS-i; ata gjithashtu kishin qartazi demonë të tjerë psikologjikë që i shtynë të vrasin.
Së dyti, për ata që janë të frymëzuar apo të drejtuar nga ISIS-i – dhe nga udhëheqja e tij kryesore – ekziston një nder tek terrorizmi, përdorimi i këtyre sulmeve për të luftuar kundërshtarët shumë superiorë në Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën e Veriut dhe gjetkë. Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim për vrasjet e rastit në mesin e terroristëve të vërtetë.
Duke i dhënë ISIS-it një pretendim mbi këta sulmues, ne i ngremë vrasjet e tyre në nivelin që ata duan: një shenjë se mesazhi i tyre i një epoke të re të Kalifatit, i nxitur nga ISIS, po fiton terren. Ky karakterizim i menjëhershëm i kësaj faze të re të sulmuesve si “terroristë”, pavarësisht motiveve të tyre qartazi të çoroditura, motivon një vrasës në masë që s’mund të justifikojë vrasjen në fushën e një xhihadisti të motivuar politikisht, i cili është përqafuar nga një grup që e sheh aktin e tij si të justifikueshëm.
Këta nuk janë terroristë
Kur ne nuk dimë motivet e këtyre vrasësve të rinj që thjesht i mbulojnë veprimet e tyre me një mbulesë të ISIS-it, pse u japim atyre statusin që kërkojnë? Në fund të fundit, ne jemi duke kërkuar një kategori të re të terrorit për të cilën s’kemi emërtesë. Kur një sulmues në dukje i turbulluar emocionalisht vret në Nisë, Orlando, Gjermani apo ndonjë nga vendet e tjera që janë bërë aq të zakonshme sot, komentatorët zhvendosen menjëherë tek paragjykimet e vendosjes së këtyre sulmeve në një narrativë të kuptueshme, për të patur një kuptim të akteve të dhunës.
“Një tjetër akt terrorizmi”, mund të thonë ata, një evolucion mbi atë për të cilin kemi qenë dëshmitarë për dy dekada. Duke përdorur të kaluarën e Al-Kaedës si një kornizë për të kuptuar të tashmen, ne po biem pre e një paragjykimi njerëzor për të krijuar narrativa të pastra që ndjekin një linjë historike të qartë e të kuptueshme në përgjigje të pyetjeve pse, dhe i vendosim incidentet individuale në një kontekst më të gjerë.
Në fakt, ky nuk është një evolucion i terrorizmit, është një dukuri e ndryshme. Individët me çrregullime, të cilët nuk mundën të gjejnë një grup për t’i dhënë kuptim veprimeve të tyre në të kaluarën, sot e kanë atë dhe ky është ISIS-i. Pavarësisht nëse ata besojnë apo jo e kuptojnë mesazhin e Shtetit Islamik, do të pretendojnë gjithsesi se kanë frymëzimin e tij, sepse alternativa – vrasja masive pa një arsyetim të qartë – është e pambrojtshme.
E megjithatë, a do të kishin ndodhur këto sulme pa ISIS? Ndoshta po. Në rastet e vrasjeve masive, amerikanët kanë evoluar në të kuptuarin se çështja kryesore nuk është ajo çka bërë apo se kë ka vrarë vrasësi. Por ka të bëjë me gjendjen e tij mendore, nëse ai kishte kapacitet mendor për t’u gjykuar në një gjykatë amerikane si vrasës. Me kalimin e kohës, ne mundemi thjesht të zbatojmë të njëjtat standarde për vrasës që pretendojnë të jenë terroristë.
Para se të shohim se çfarë kanë bërë ose kë kanë vrarë, ta fillojmë me një pyetje të thjeshtë: A qenë ata të motivuar nga ndonjë ideologji e deformuar politike apo kërkojnë mbështetjen e ISIS-it si mbulesë për çfarëdo problemi psikologjik ose shqetësim emocional nga të cilat vuanin?
Nuk është ende e qartë se çfarë ka qenë duke menduar vrasësi i Orlandos kur hyri në atë klub. Ne e quajmë atë një terrorist, edhe pse e pranojmë presupozimin diametralisht të kundërt që nuk e dimë me saktësi pse bëri atë që bëri. Një vrasës masiv, nuk është domosdoshmërisht një terrorist. Dhe sulmet e përkrahësve të vetëshpallur të ISIS në rrugët e Amerikës dhe Evropës, nuk janë domosdoshmërisht terrorizëm.