Terroristët duan që ne të jetojmë ndryshe

Kohezioni dhe bashkimi i radhëve brenda shoqërisë sonë është mjeti më i mirë kundër tmerrit të terrorizmit. Dhembje, tmerr, keqardhje. Ku do të çojë sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Berlin? Për terroristët përgjigjja është e qartë: ai do të shkaktojë frikë dhe tmerr, reagime të gabuara dhe do ta përçajë shoqërinë tonë. Kjo do t’ua lehtësonte terroristëve rekrutimet e personave të përjashtuar. Kurse ne do të na grabiste vlera të tilla si liria, bashkëjetesa dhe ndenja se jetojmë në siguri.
Ne gjendemi në “luftë” kundër terrorizmit, thonë disa. Unë mendoj se ky është një përcaktim i gabuar. “War against terror” ishte motoja e ish-presidentit amerikan Bush. Me të drejtë që në atë kohë u kritikua ideja që të flasësh për luftë në këtë kontekst. A gjendemi tani në gjendje të përhershme lufte, për shkak se veprat terroriste nuk mund të përjashtohen asnjëherë njëherë e përgjithmonë? A duhet të konsiderohen terroristët si palë lufte edhe pse ata janë kriminelë? Sigurisht që jo. Kur flasim për luftë, rrjedh si pasojë një fokusim tek masat ushtarake në vend të luftimit gjithëpërfshirës të terrorizmit.
Lufta kundër terrorizmit duhet bërë me mjetet e policisë, të shërbimeve sekrete dhe në rast nevoje, si kundër IS-it edhe me ushtarake. Sikurse edhe me një politikë të mençur. Frika përhapet nëse terroristët arrijnë të prodhojnë në shoqëri mosbesim ndaj organeve të sigurisë, shtetit, mediave, ndaj të gjithëve që nuk janë si ne, ndaj pakicave. Për këtë tani duhet të heqim dorë nga spekulimet publike, që vështirësojnë edhe punën e organeve të sigurisë.

Si mund të mbrohemi?
Në këtë mes nuk është fjala vetëm për t’u mbrojtur prej sulmeve, por edhe prej frikës. Organet tona të sigurisë kanë penguar deri tani mjaft sulme dhe punojnë për ta përmirësuar mbrojtjen e popullsisë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe veprimtarisë së policisë dhe të shërbimeve sekrete. Ne duhet të ndjekim rekomandimet e tyre për kujdes dhe vigjilencë. Të gjitha këto masa sigurie nuk sjellin me vete mbrojtje 100%, por një siguri mjaft të madhe për të mos u bërë viktimë e ndonjë sulmi terrorist.
Por frika mbetet megjithatë. Një recetë të përgjithshme kundër saj nuk ka. Por ne duhet t’u besojmë autoriteteve të sigurisë se ato bëjnë gjithçka është e mundshme për sigurinë tonë dhe për të penguar vepra terroriste. Po ashtu, ne duhet të informohemi përmes mediave serioze dhe jo përmes blogjeve të dyshimta dhe të mos besojmë çdo thashethem, vetëm se ky përhapet përmes Facebookut.

Shfrytëzimi i momentit nga partitë e djathta
Grupe dhe parti të radikale të djathta si AfD-ja po përpiqen t’i nxisin tani frikërat tona. Por forca e shoqërive tona të hapura dhe pluraliste qëndron tek fakti që ne mund të jetojmë në paqe me njëri-tjetrin edhe pse jemi të ndryshëm. Baza e kësaj është respekti dhe besimi reciprok. Prandaj ne nuk duhet që kur një terrorist i përket një grupi apo pakice ne ta fajësojmë të gjithë grupin. Refugjatët nuk kanë as më shumë e as më pak lidhje me një sulm terrorist që bën një refugjat, sa edhe njerëzit e tjerë.
Terroristët duan që ne të jetojmë ndryshe. Që prej frikës të mos shkojmë më në tregjet e Krishtlindjeve apo stadiume, të mos përdorim mjetet e transportit publik, të bëhemi mosbesues dhe të mos i besojmë më askujt. Ne duam krejt të kundërtën. Kohezioni dhe bashkimi i radhëve brenda shoqërisë sonë, është mjeti më i mirë kundër tmerrit të terrorizmit.

Exit mobile version