Terrorizëm shtetëror ndaj opozitës dhe qytetarëve

Qytetarë, protestues e përfaqësues të Partisë Demokratike u përballën dje me dhunën dhe terrorin shtetëror të urdhëruar nga Rama. Ndonëse zona ku po betonizohet parku ishte blinduar me urdhër të Ramës përmes 1800 policëve nga Reparti i Shqiponjave, Forcave Speciale dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë protestuesit kanë arritur të rrëzojnë gardhin prej hekuri të kantierit të ndërtimit. Pavarësisht kordonit të ngjeshur policor, ata kanë arritur të futen brenda rrethimit.
Protestuesit kanë zgjedhur të vendosin çadra brenda rrethimit për këndin e lojërave, me qëllim ndërprerjen e punimeve.
Në këtë moment policët nga Reparti i Shqiponjave, Forcave Speciale dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u përplasën me protestuesit, ndërsa tentuan t’i nxirrnin ata nga kantieri i ndërtimit duke ushtruar dhunë fizike ndaj protestuesve. Në protestë janë goditur fizikisht përfaqësues të Partisë Demokratike Nard Olli, Ridvan Bode, Edi Paloka. Këshilltari i djathtë në Bashkinë e Tiranë, Leonard Olli, tha se, “jam goditur në këmbë, s’di me çfarë më qëlluan”. Kreu i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, tha se protesta te liqeni, tregon se qytetarët janë “para dëshmisë së një shteti policor”. Një prej protestuesve të djeshëm, Frida ka deklaruar se është dhunuar nga policia dhe jo vetëm sot. “Nuk është hera e parë që marrim pjesë në protestë. Nuk do të jetë e fundit. U gjendëm përballë efektivëve të policisë, pavarësisht se parmbrëmë ushtruan dhunë, kemi fraktura në trup, sot qëlluan sërish drejt meje. Policia në vend t’i mbrojë qytetarët, ushtron dhunë ndaj tyre. Më kanë qëlluar me grusht. Ne nuk jemi aq të aftë t’i kundërshtojmë”, tha ajo. Pas përleshjes dhe dhunës fizike të ushtruar ndaj protestuesve, forcat policore nisën një operacion masiv në arrestimin e protestuesve duke vepruar njëlloj sikur të ishin në një aksion në kapjen e kriminelëve. Forcat policore të maskuar dhe të armatosur nisën të arrestonin protestuesit e madje të futeshin edhe në lokalet aty pranë ku ndodhi protesta, duke vepruar sikur po kapte “kriminelët” në kushtet e flagrancës. Policia nisi të arrestonte qytetarë protestues, të rinj të FRPD, si dhe ish-deputetin demokrat Ndriçim Babasi. Menjëherë protestuesit e tjerë janë drejtuar për nga Drejtoria e Policisë Tiranë, duke rrethuar godinën, ndërsa kanë protestuar me orë të tëra atje duke kërkuar lirimin e protestuesve. Protestës së qytetarëve para Drejtorisë së Policisë iu bashkua edhe kreu i PD, Lulzim Basha, si dhe përfaqësues të tjerë të PD. Deputeti Gert Bogdani i ndodhur para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, aty ku janë shoqëruar pas protestës opozitare dhjetëra aktivistë dhe mbështetës të PD-së tha se, PD-ja do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore pas kësaj që ndodhi. Ai tha se policia dëshmoi dje se nuk ishte e shtetit, por e krimit. “Pati përplasje me policinë e krimit, me protestues e qytetarë të thjeshtë. Jemi për lirimin e tyre të menjëhershëm. Babasi dhe disa aktivistë u rrëmbyën nga policia që ka funksionuar si bandë kriminale. Erdhi FNSH, trupa më e lartë e Tahirit erdhi të mbronte betonin. Kryebashkiaku ndërton pa leje dhe mbrohet nga FNSH e Tahirit. Qytetarët janë brenda ndërsa kriminelët jashtë. Ne nuk protestuam për një kënd lojërash, por ndërtimi i tij i hap rrugën ndërtimit të disa pallateve”.

Artikulli paraprakNis mbjellja masive e drogës në Krujë me garanci 1,5 milionë euro
Artikulli tjetërPolicia tentoi të arrestonte edhe protestuesit e plagosur rëndë