Terrorizmi, rreziku nga të infiltruarit mes refugjatëve

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se vendet e Ballkanit kanë qenë të suksesshme në ndjekjen dhe arrestimin e luftëtarëve të huaj, por rajoni, shtoi ai, përballet me kërcënimin e mundshëm të atyre që kalojnë tranzit si refugjatë që largohen nga Siria, Iraku apo Afganistani. Këto deklarata ambasadori Lu i bëri gjatë një konference rajonale për çështjet e ekstremizmit të dhunshëm dhe emigracionit të paligjshëm, ku u vu theksi te forcimi i mëtejshëm i koordinimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të ndryshme. Në vendet e Ballkanit perëndimor janë të paktën 89 persona të cilët janë dënuar për pjesmarrje në luftimet në Irak e Siri përkrah ISIS-it apo lidhje me organizatat terroriste. Ambasadori amerikan Donald Lu tha se Bosnja ka gjetur fajtorë 12 persona dhe 8 të tjerë janë aktualisht në gjykim. Kosova ka marrë të pandehur 75 persona dhe ka siguruar vendime fajësie në mbi 50 çështje. Maqedonia tashmë ka 18 vendime fajësie për akuza që lidhen me luftëtarët e huaj. Dhe Shqipëria më herët këtë vit, dënoi 9 persona me 152 vite gjithsej për rekrutimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste. Në Konferencën rajonale për çështjet e ekstremizmit të dhunshëm dhe emigracionit të paligjshëm, ambasadori Lu u shpreh se “vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qënë jashtëzakonisht të suksesshme dhe duhet të jenë krenare për sukseset e tyre të fundit në arrestimin dhe ndjekjen penale të luftëtarëve terroristë të huaj”. Por sipas tij tani “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë shqetësuar në lidhje me një kërcënim të ri — kërcënimi i mundshëm i luftëtarëve të huaj që kalojnë tranzit si refugjatë që largohen prej Irakut, Sirisë dhe Afganistanit”. Sipas tij, “një nga pikat kyçe është informimi më i mirë dhe mbrojtja më e mirë e kufijve”, ndërsa tregoi se “një nga mjetet që i është vënë në dispozicion kohët e fundit Shqipërisë nga FBI-ja amerikane dhe Qendra Kombëtare e SHBA-së kundër Terrorizmit është aksesi në bazën e të dhënave për terrorizmin përmes një marrëveshjeje për ndarjen e informacionit, nënshkruar gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Uashington në muajin prill. Me këtë mjet, Policia Kufitare shqiptare mund të hyjë në listën e mijëra terroristëve potencialë që është hartuar në bashkëpunim me dhjetëra vende partnere”, shpjegoi ambasadori amerikan, ndërsa theksoi se vetëm bashkëpunimi mes vendeve mund t’i bëjë ballë kërcënimeve terroriste.

Artikulli paraprakGysi i Ramës tek tritoli ndaj Dervishit në Kryeministri
Artikulli tjetërDiskutimet në grup, deputetët të unifikuar në qëndrimin për Dibrën dhe kartelin e drogës