Terry largohet nga Chelsea

Fundi i një epoke. Me një komunikatë zyrtare të përbashkët ndahen pas plot 22 vjetësh rrugët e Chelseat dhe një prej flamujve më domethënës të klubit londinez, John Terry. Kapiteni lë një klub me të cilin ishte bashkuar që në 1995, pasi kishte nisur futbollin në ekipet e të rinjve të West Ham. Mbrojtësi 36-vjeçar ka realizuar deri më tani 713 prezenca me skuadrën e parë të Chelseat, duke shënuar edhe 66 gola. Është lojtari që ka fituar më shumë në historinë e këtij klubi me 14 trofe, në arkivin e tyre janë edhe një Champions, një Europa League, 4 tituj të Premier League, 5 FA Cup dhe 3 Kupa të Ligës.
“Pas 22 vjetësh ka shumë gjëra për të thënë dhe shumë njerëz për të falënderuar në këtë klub të madh, duke nisur nga trajnerët, shokët e skuadrës, anëtarët e stafit e deri te tifozët që më kanë mbështetur. Kurrë nuk do të mund t’ju falënderoj aq sa duhet. Jam i sigurt se po iki në momentin dhe mënyrën e duhur”, shpjegoi Terry.
Për sa i përket të ardhmes së Terryt, ajo mbetet ende e paqartë, siç shpjegon vetë futbollisti. “Do të vendos shpejt për të ardhmen, tani për tani përqendrohem për të ndihmuar skuadrën time që ta mbyllë fitimtare këtë sezon. E ndiej se kam ende shumë për të dhënë në fushë, por e kuptoj se shanset këtu te Chelsea do të jenë të kufizuara për mua”.
Ajo e Terryt është e fundit e një serie lamtumirash të dhimbshme në aspektin emocional për tifozët e Chelseat, në vitet e fundit blutë janë ndarë dhe me Frank Lampard, Petr Chech dhe Didier Drogba.

Exit mobile version