Tersi në familjen Veliaj/ Edhe vëllai i Lalit aludohet për transferta jashtë vendit, nisin hetimet e thella

E premte e zezë ishte kjo e sotmja për familjen Veliaj, por jo për qytetarët e Tiranës.

Kjo pasi, me vendim të GJKKO-së, oficerë të BKH-së dhe prokurorë të SPAK-ut që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë zbarkuar për kontrolle në banesat e familjarëve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Fillimisht u raportua se në shtëpi ndodhej bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila për afro 1 orë refuzoi t’ua hapte derën agjentëve të BKH-së.

Por rezistenca e saj duket se ka qenë e kotë, pasi i është sekuestruar telefoni, dhe kaq konfirmohet nga të gjitha mediat, ndërsa vetë Erion Veliaj ndodhet në Hamburg në Gjermanisë.

Ndërkaq, në fakt nuk është kontrolluar vetëm telefoni, por është bërë dhe një kontroll i imtësishëm banese.

Mediat bëjnë me dije se paralel me Ajolën është kontrolluar edhe vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj.

Pra, gjithçka rreth e rrotull Erion Veliajt që lidhet me bizneset e vëllait të tij dhe aktivitetin e Ajolës.

Nga ana tjetër, “Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut, administron një nga kompanitë më të mëdha të reklamave në Shqipëri dhe është çelësi i Erion Veliajt për të çuar para në media dhe menaxhon nga bizneset e mëdha dhe kjo është një mënyrë tjetër e blerjes dhe kapjes së shtypit, por Arbër Veliaj dyshohet nga SPAK si pjesë e skemës të kryebashkiakut të Tiranës për influencë, pastrim parashë dhe afera të tjera”, raportojnë mediat sot.

Nisur nga kjo, burime jo zyrtare thonë për “Ora News” se dyshohet që Arbër Veliaj të ketë realizuar transferta miliona euroshe në bankat e nivelit të dytë në vende të tjera, jashtë territorit të Shqipërisë.

Gjithsesi, skema po hetohet dhe SPAK-u në njoftimin e tij zyrtar për operacionin në fjalë theksoi se hetimet ndodhen ende në fazën paraprake dhe nuk mund të jepen detaje në lidhje me procesin.

Por përtej sekretit hetimor ajo që dihet deri tani është se shtëpia e Erion Veliajt është kontrolluar, është kontrolluar telefoni i Ajolës, Arbër Veliaj, shtëpia e tij, janë marrë telefonat dhe SPAK-u po ecën përpara në një nga hetimet kryesore të pasurisë.

Pra, institucioni po bën një hetim të thelluar pasuror ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe të gjitha veprimet e tanishme vijnë si pasojë e fakteve që SPAK-u ka gjetur rrugës për Veliajn.

Tashmë pritet që të ketë të tjera veprime dhe që prokurorët të lidhin të gjithë skemën si ka funksionuar Erion Veliaj dhe njerëzit rrotull tij.

ÇFARË NDODHI NË MAJ?

Disa ditë pas marrjes në pyetje për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ne muajin maj kreu i Bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj, është vënë nën hetim nga prokurorët e posaçëm të SPAK.

Mësohet se ndaj Veliajt ka filluar procedimi penal dhe se SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna Shqiponjë Veliaj.

Pjesë nga dokumenti i SPAK i publikuar me 21 maj 2024

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedim penal, në funksion të të cilit kërkojmë të na vendosni në dispozicion çdo informacion lidhur me veprimet bankare dhe çdo transaksion financiar të kryer brenda dhe jashtë vendit, për shtetasit e mëposhtëm: te

Shtetasi Erion Veliaj, i biri i Luan dhe i Shqiponjë, lindur në Tiranë, 17.12.1979.

Shtetasja Ajola Xoxa, e bija Arben dhe Valbona lindur në Tiranë më 16.07.1983.

Shtetasi Arbër Veliaj, i biri i Luan dhe Shqiponjë, lindur në Tiranë, i datëlindjes 25.12.1985.

Shtetasja Shqiponjë Veliaj, e bija e Maliq dhe e Fare, lindur në Vlorë, e datëlindjes 08.01.1949.

Informacioni duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës, duke specifikuar numrat e llogarive, datën e çeljes së llogarive apo depozitave, personin dhe dokumentet e përdorura për…

…Nëse rezulton se nga këta shtetas është marr kredi, atëherë të dërgohet një kopje e të gjithë praktikës duke përfshirë dokumentacionin e dorëzuar në momentin e aplikimit për kredi dhe informacion i detajuar mbi shlyerjen e kredisë.

DREJTUESI I PROKURORISË, Atin Durmani

ME URDHËR DHE ME DELEGIM PROKURORI I POSAÇEM, Ols Dade

Exit mobile version