Testi i ‘PISA 2022’ e nxori të fundit në rajon Shqipërinë, Gjermania (pasi pranoi dështimin e saj) premton 20 miliardë euro investime në arsim

Rezultati i testit i PISA është një prej temave “të nxehta” aktualisht në Gjermani, vendin që udhëheq ekonominë e Europës. Kjo për arsyen se, dihet rëndësia që arsimi në zhvillimin e një vendi dhe një vend i zhvilluar nuk mund të pranojë një përkeqësim të treguesve arsimorë, të çdo niveli qofshin ato.

Bahri Cani nga Deutsche Welle në lidhjen e drejtpërdrejtë me “Aldo Morning Show” në Tv Klan shpjegon se Gjermania doli në vendin e 25-të, sipas PISA.

Për Gjermaninë ky është rezultati më i dobët nga 80 vendet pjesëmarrëse në test. Rezultati është cilësuar si “dramatik” dhe po vlerësohen disa prej shkaqeve që kanë ndikuar.

“Gjermania është për momentin më mirë se Franca, Spanja apo Italia, por është shumë më dobët nga Singapori, Koreja e Jugut apo Japonia që janë në vendet e para. Sa i përket shkaqeve, si ilustrim për shembull Gjermania ka diku te 100 pikë më pak se Singapori i cili është në vendin e parë, por më e keqja është që ka shënuar një minus 25 pikë në vitin 2022 kur janë bërë këto matjet e fundit”, tha Cani.

“Nga shkaqet e kësaj gjendjeje dramatike dhe skandaloze siç quhet në disa media, janë disa: pandemia, korona, mbyllja e shkollave kur të gjithë ne mbylleshim dhe nuk shkonin as fëmijët në shkollë. Pastaj numri i madh i nxënësve me origjinë të huaj sepse 39% e pjesëmarrësve në PISA kanë qenë me origjinë të huaj, por mos të harrojmë edhe një gjë tjetër, varfëria te fëmijët sepse rreth 40% e fëmijëve në Gjermani janë të varfër ose të paktën ashtu quhen, ndërsa 54% e tyre janë me origjinë të huaj, këto janë disa prej shkaqeve përse në Gjermani ka patur rezultate më të dobëta”.

Cani shton se ministrat e arsimit të landeve janë mbledhur për të diskutuar se si mund të përmirësohet situata dhe janë ndërmarrë masa të menjëhershme. “Autoritetet kanë premtuar menjëherë 20 miliardë euro investime, kanë premtuar se do të merren masa për mësimin më të mirë të gjuhës që nga kopshtet e pastaj edhe nëpër shkolla”, theksoi Bahri Cani.

Testet eksplorojnë se sa mirë nxënësit mund të zgjidhin probleme komplekse, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të komunikojnë në mënyrë efektive, duke dhënë një pasqyrë se sa mirë sistemet arsimore të vendeve të tyre i përgatitin ata për sfidat e jetës reale.

Në nivel global, rezultatet e testit PISA 2022 treguan një rënie të performancës së studentëve, me ekspertë të arsimit të OECD që fajësuan problemet afatgjata në sistemet arsimore, duke përfshirë mungesën e investimeve dhe mbështetjes për nxënësit e shkollave, si dhe ndikimin e pandemisë COVID-19. Rezultatet mesatare të Shqipërisë për vitin 2022 ishin në rënie në krahasim me vitin 2018 në matematikë, lexim dhe shkencë.

“Nxënësit raportuan se kishin shpenzuar dukshëm më pak përpjekje për PISA në vitin 2022 në krahasim me vitin 2018 dhe ka indikacione të qarta që ata nuk u angazhuan seriozisht gjatë gjithë testit dhe pyetësorit. Prandaj, rezultatet duhet të interpretohen me kujdes,” thuhet në prezantimin e sondazhit të PISA-s .

Exit mobile version