Thaçi deklarohet i pafajshëm për të gjitha akuzat, mbrojtja: Ku janë provat për trafik organesh?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së parë në Hagë, u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara. Pala mbrojtëse tha se në javët në vijim do të dorëzojë kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit.

“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi, kur u pyet nga gjykatësi i procedurës paraprake, nëse ndihet i pafajshëm apo fajtor rreth atakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai e cilësoi aktakuzën kundër tij si “të paqëndrueshme” dhe tha se është i pafajshëm “plotësisht”.

Mbrojtja: Ku janë akuzat për vjedhje organesh?

Avokati i Thaçit, David Hooper pyeti gjykatën se ku janë akuzat për vjedhje organesh dhe të ashtuquajturën Shtëpi të Verdhë, që sipas tij, janë “njollë mbi Kosovën dhe kosovarët”.

“Ku janë këto pretendime për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historisë e Shtëpisë së Verdhë e cila ishte e rëndësishme për krijimin e kësaj gjykate”, tha Hooper, duke shtuar se asnjë nga këto pretendime nuk përmenden në aktakuzën e konfirmuar ndaj Thaçit.

Ai madje kritikoi që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, që nuk kanë simbole të Kosovës, ndonëse janë krijuar nga Prishtina zyrtare.

“Këto pretendime Thaçi i dinte se ishin gjepura, ai ndihmoi Komisionin Evropian në krijimin e kësaj gjykate”, tha ai.

Hooper tha se aktakuza është tejet e redaktuar, dhe nuk është aq informuese dhe treguese për mbrojtjen.

Avokati Hooper ngriti edhe çështjen e vendosjes së prangave ndaj Thaçit, gjatë marrjes nga qendra e paraburgimit e deri në sjelljen në objektin e gjykatës, por gjykata argumentoi se ky është një rregull për të gjithë dhe Thaçi nuk do të bëjë përjashtim.

Më 5 nëntor, Thaçi – i cili ka shërbyer si drejtor politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës –dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës.

Në fillim të seancës, avokati i Thaçit, Hooper tha se për shkak të kohës së shkurtër, që prej njoftimit për konfirmimin e aktakuzës e deri në paraqitjen e parë, ata nuk kanë arritur ende që të formojnë një ekip mbrojtës.

Megjithatë ai shtoi se “unë dua ta bëj të qartë qëllimin tim se do të bashkëpunojmë me gjykatën”.

Sekretari i Gjykatës lexoi pikat e aktakuzës për të cilat pretendohet se Thaçi i ka kryer, përkatësisht ai dyshohet për krime kundër njerëzimit: përndjekje dhe burgosje.

Ndaj Thaçit po ashtu rëndojnë akuzat për krime lufte si: ndalim arbitrar, akte të tjerat çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjykata tha se krimet dyshohet se janë kryer ndërmjet periudhës prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, duke shtuar se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi është përgjegjës për këto vepra penale.

Pas leximit të pikave të aktakuzës, Thaçi tha se i hedh poshtë të gjitha.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou i lexoi Thaçit të gjitha të drejtat dhe kërkoi nga palët që të deklarohen rreth një date për mbajtjen e konferencës statutore.

Pala mbrojtëse tha se sugjeron që konferenca statutore të mbahet më 30 nëntor.

Më herët gjatë ditës së hënë, pranë këtyre dhomave, paraqitjen e parë e bëri edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili u deklarua i pafajshëm dhe e quajti aktakuzën si “padrejtësi të madhe” ndaj tij.

Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi?

Më 10 nëntor, pranë këtyre dhomave do të paraqitet edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, të gjithë ish-eprorë të UÇK-së, janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Menjëherë pas arrestimit, ata janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Aktakuza
Aktakuza e përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit: burgosje.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se këto krime janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.

I akuzuari i parë i Dhomave të Specializuara ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ai tashmë ka deklaruar i pafajshëm për akuzat për krime lufte, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Exit mobile version