Thaçi dhe Nuland për zhvillimet më të fundit në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në një takim pune nënsekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland. Presidenti Thaçi e njoftoi atë për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për prioritetet e tij si president i vendit. “Do të mbetem i përkushtuar në prioritetet tona të përbashkëta”, u shpreh presidenti Thaçi. Ai u shpreh se pas marrjes së mandatit, menjëherë ka filluar të promovojë dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë. “Tanimë është instaluar praktika që personat e dënuar apo të akuzuar të heqin dorë nga postet dhe detyrat politike në vend”, u shpreh presidenti Thaçi. Sipas tij, po punohet në mënyrë që edhe të akuzuarit të mos i ikin përgjegjësisë dhe të marrin dënimin e merituar nga drejtësia. “Kemi iniciuar plotësimin e Kodit Penal. Deri në vjeshtë do të kemi hapa konkret në këtë drejtim”, paralajmëroi presidenti Thaçi dhe shtoi se “nuk do të lejohet që askush t’i ikë drejtësisë”. Duke folur për zhvillimet në Kosovë, Thaçi tha se skena politike tani i ka tejkaluar pamjet e shëmtuara që janë parë më herët dhe shtoi se është koha që vëmendja të kthehet tek vendimet e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. “Demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet nga parlamenti sa më parë. Pa të drejtë është kthyer në një çështje politike që po dënon pa të drejtë qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave, por duke e vonuar edhe konsolidimin e shtetit”, u shpreh presidenti Thaçi. Në vazhdim ai tha se Kosova promovon marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke përfshirë edhe Serbinë. “Të dyja palët duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. Është koha për një kualitet të ri në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të sjell pajtim dhe marrëdhënie fqinjësie më të mira dhe më bashkëpunuese”, shtoi presidenti Thaçi. Presidenti Thaçi foli edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, por edhe në përmbylljen e procesit të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë, përfshirë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. “Do të shterojmë të gjitha mundësitë për dialog me të gjitha komunitetet, përfshirë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Por, Kosova nuk mund të pranojë që Beogradi të ketë ‘veto’ në procesin e formimit të armatës së Kosovës”, theksoi Thaçi. Nga ana tjetër, nënsekretarja e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, u shpreh e kënaqur me vizitën dhe përcjelli përshëndetjet e presidentit Obama dhe të Administratës Amerikane për presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës.

Artikulli paraprakHetim parlamentar për përgjimet, kërkesa dorëzohet në Parlament
Artikulli tjetërAhmetaj, 1 milion USD tender për zyra luksoze