Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tani po e thotë publikisht se ndryshe nga sa u paraqitej shqiptarëve, plani për ndarjen e Kosovës i leverdiste Beogradit. Ai deklaroi mbrëmjen e së hënës se Serbia e ka humbur rastin për të arritur kompromis me Prishtinën dhe se do të paguajë çmimin në të ardhmen.
Duke folur për çështjen e shkëmbimit të territoreve, ai tha se e kuptoi që “serbët kurrë nuk do ta pranonin diçka që në fakt ishte shansi i tyre dhe për këtë, do të pendoheshin”.
“E kuptova porosinë e njerëzve, ishte një shans i shkëlqyeshëm për ne, por e humbëm atë”, tha Vuçic për TV Happy.
Kreu i shtetit serb shtoi se për këtë çështje do të bëhet edhe më të keq në të ardhmen, por mendon se ai vetë është i zhveshur nga përgjegjësitë.
“Unë do ta mbroj popullin serb, por mbajini mend fjalët e mia edhe për 20 vjet: kemi pasur një shans, por nuk kemi pasur vetëdije dhe mençuri të mjaftueshme”, tha ai.
Menjëherë pas këtij emisioni TV ka reaguar shkrimtari dhe gazetari Veton Surroi.
“Konfirmim i presidentit të Serbisë se ishte krejtësisht afër realizimi i ndarjes së Kosovës. Tash del se pos komunave të veriut ishin në lojë edhe ato të lindjes në Kosovë. Është sikur ta shohësh një triller që përshkruan çmontimin e një bombe”, shkroi ai në Facebookun e tij.
Në trojet shqiptare këtë plan të Vuçiçit e mbrojtën Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Presidenti kosovar u mundua ta shesë atë si një përpjekje për të bashkuar luginën e Preshevës me Kosovën, ndërsa kryeministri shqiptar deklaroi se mundësi të tilla mund të të vijnë njëherë në 100 vjet.