Plani Thaçi-Rama-Vuçiç ka ndezur zjarrin e konfliktit edhe në Bosnje, atje ku është edhe një nga pikat më të nxehta përmes të cilës Serbia kërkon të përfitojë duke paraqitur si shembull ndarjen e Kosovës. Serbia ka paralajmëruar përmes deklaratave të ministrit të Jashtëm, Daçiç se atë që ka bërë me Kosovën do ta ndërmarrë edhe në Bosnje duke lënë të kuptohet ndarjen nga Republika e Bosnje-Hercegovinës të Republikës Serpska.
Anëtari i presidencës boshnjake, Bakir Izetbegoviq i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili ditë më parë e kishte lidhur statusin e Republikës Serbe të Bosnjës me çështjen e Kosovës.
“Ishte e nevojshme që të shpallim pavarësinë e Republikës serbe të Bosnjës në momentin kur edhe Kosova e bëri një gjë të tillë”, kishte thënë më herët Daçiq.
E i ashpër u shfaq Izetbegoviq në përgjigjen ndaj Daçiq. Madje ai e quajti Daçiqin nxënës të ish diktatorit serb të dënuar për krime lufte, Slobodan Milosheviq.
“Këto të dyja nuk mund të lidhen, në të vërtetë Daçiq, një student i Milloshveviqit, tenton që të hedhë paralele, mirëpo çështja e Bosnjës është e përfunduar”, ka thënë në Mostar Izetbegoviq, transmeton lajmi.net.
Madje sipas tij, e njëjta e keqe i ka goditur nga politika e Millosheviqit edhe Kosovën edhe Bosnjën.