The Guardian: Rama pas skandalit me fondin 80 mijë dollarë

Edi Rama akuzohet se ka financuar me 80 mijë dollarë fushatën e 2012 për rizgjedhjen e Presidentit. Demokratët shqiptarë deklarojnë se këto para janë financuar në dhunim të ligjeve të SHBA dhe ligjeve shqiptare. Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht Kryeministrin Edi Rama
Associated Press: Mbetet e paqartë nëse prokurorët do të vendosin të hetojnë për këtë çështje. Jehona në të gjitha mediat botërore e skandalit
Pretigjozja britanike “The Guardian” ka publikuar dje skandalin e financimit të jashtëligjshëm të fushatës për rizgjedhjen e Presidentit Obama, ku sipas saj, pas këtij skandali qendron kryeministri Edi Rama. Skandali ka bërë jehonë në të gjitha mediat botërore, të cilat kanë pasqyruar gjerësisht përfshirjen e Ramës në financimin e paligjshëm.
“Demokratët e çuan çështjen në zyrën e prokurorit të Përgjithshëm duke thënë se Rama- që atëherë ishte lider i opozitës -pagoi paratë në kundërshtim me ligjet amerikane dhe shqiptare për të fituar akses në një aktivitet të fushatës së Obamës në San Francisko në tetor të 2012.
Javën e kaluar, Bilal Shehu, 48 vjeç, një qytetar amerikan me origjinë shqiptare, u deklarua fajtor në një Gjykatë Federale në Nju Xhersi, pasi me dashje kishte kaluar kontribute të huaja dhe donacione për fushatën e Obamës.
Rama ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë në “ndonjë takim elektoral të Presidentit Obama” apo të ketë paguar bileta drejt eventit të San Franciskos, edhe pse ai pranon takimin me Shehun, si “një anëtar të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork”.
“Edi Rama ka kryer të paktën tri akte kriminale… dhe ka përfituar personalisht nga ato”, tha ligjvënësi demokrat, Eduard Halimi pas dorëzimit të kallëzimit penal.
Atë kohë, Rama me krenari përdori fotografinë e tij me Obamën, muaj para se zgjedhjet parlamentare të sillnin Partinë Socialiste në pushtet.
“Kryeministri Rama nuk ka asnjë lidhje me asnjë lloj financimi ilegal”, tha zyra e Ramës në një reagim, “dhe i vetmi ‘krim’ që ai ka bërë më 2012 është se ai ka patur një fotografi me Presidentin Obama në një kohë kur qeveria shqiptare i kishte mbyllur dyert marrëdhënieve ndërkombëtare” citohet në artikullin e The Guardian.
Ndërkohë Associated Press citon se nuk është e qartë nëse Prokuroria do të vendosë për të nisur hetimet në lidhje me këtë çështje.
“Dokumentet që përbëjnë dosjen e Shehut në SHBA janë hetuar nga FBI dhe në to thuhet se atij i janë dërguar para nga një burim i huaj dhe më pas janë depozituar në një komision për mbledhjen e fondeve, ku edhe është maskuar origjina e vërtetë e parave, që një shtetas i huaj të merrte pjesë në aktivitetin e fushatës.
Emri i Ramës nuk u përmend në këtë çështje. Në dokumente thuhet se, “shtetasit të huaj” iu mohua aksesi në aktivitetin e San Franciskos, por iu lejua të bënte një fotografi me Presidentin.
Zyra e prokurorit të New Jersey tha në një deklaratë se, askush nga komisioni për mbledhjen e fondeve nuk është i akuzuar për keqbërje dhe se komisioni ka bashkëpunuar plotësisht me hetimet.
Seanca gjyqësore ndaj Shehut është planifikuar për më 5 tetor. Kjo vepër penale mbart një dënim maksimal prej pesë vitesh dhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh” thuhet në artikull.

Pesë pyetje për Ramën

1- A e njeh dhe a e ka takuar ndonjëherë Edi Rama shqiptaro-amerikanin, Bilal Shehu që po hetohet nga FBI, për donacion të jashtëligjshëm në fushatën presidenciale?
2- A është pritur në SHBA, në muajin tetor në Nju Xhersi Edi Rama nga Bilal Shehu dhe a ka udhëtuar bashkë me atë drejt San Franciskos?
3- Si e shpjegon Rama faktin që në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtin vend, foto me Presidentin Obama, ka bërë edhe Shehu, edhe ai?
4- Ka qenë Edi Rama në eventin në San Francisko për të cilin po heton FBI, ishte brenda, jashtë, në korridor, hiç fare dhe nëse po, me kë ka qenë i shoqëruar?
5- Duke e ditur të gjithë që një nga gjërat më të vështira në botë është t’i afrohesh Presidentit të SHBA dhe jo më të takohesh e të fotografohesh me atë, me çfarë statusi e ka realizuar Rama këtë gjë, kush ndërmjetësoi?
Këto janë pyetje elementare pa ndonjë “zarar” të cilave Kryeministri fare kollaj mund t’u përgjigjet, nëse do të mbyllë gojët që nxjerrin thashetheme, qofshin ato vendase apo të huaja. Nëse sqaron këto, s’ka edhe pse pyetet në vazhdim e shqetësohet, në është ai “zotëria i huaj nr. 2” që ka paguar ato 80 mijë dollarë, fakt tashmë i pranuar nga Bilal Shehu dhe çertifikuar nga Ministria e Drejtësisë së SHBA dhe aq më pak ku i ka gjetur.
Por më befasues në këtë drejtim është ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndërkohë që grabitësit e Rinasit kushedi se ku po bëjnë “jetë sheiku” me milionat euro të grabitura fare lehtë, ai kujtohet pas 4 ditësh dhe flet. Të mos merremi me vonesën, si akt skandaloz i një ministri, por çfarë thotë?

Exit mobile version