Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur të shpenzojë rreth 60 milionë për 3 kilometra për Unazën e Madhe të Tiranës, duke thelluar gropën e madhe në buxhet, të krijuar tashmë nga ky projekt infrastrukturor.
Këtë të Hënë, ARRSH ka hapur 7 procedura tenderuese për lotet e mbetura të Unazës së Madhe, me një vlerë totale prej 156 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 130 milionë euro.
Tre prej këtyre procedurave, për një total prej diçka më shumë se 60 milionë euro, i përkasin vetëm projekteve që lidhin ish-sheshin “Shqiponja” me Bulevardin e ri.
Ky aks rrugor është 3 kilometra i gjatë dhe kostoja e përllogaritur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar është 20 milion euro për kilometër, e njëjtë me shifrën tejet të diskutuar të aksit Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja.
Sipas të dhënave zyrtare, për aksin nga ish-rrotullimi i Shqiponjës deri tek Bulevardi i ri, pranë ish-stacionit të Trenit, janë parashikuar këto shpenzime;
1. Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”, me fond limit 2.486 miliardë lekë të reja
2. Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana, me fond limit 2.6 miliardë lekë të reja, si edhe
3. Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT, me fond limit 2,375 miliardë lekë të reja.
Ekspertë ndërtimi dhe opozita e djathtë e kanë konsideruar me të drejtë projektin e Unazës së Re si “rruga e florinjtë”, për shkak të kostove tepër të larta, duke mbajtur në konsideratë se terreni i punimeve është fushor dhe nuk ka pengesa të rëndësishme natyrore.
Një tender me kosto të ngjashme, me vlerë 20 milionë euro për kilometër në aksin Pallati me Shigjeta- Sheshi Shqiponja, u shndërrua në një temë të nxehtë debati politik dhe publik më shumë se dy vjet më parë.
Opozita akuzoi kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe zyrtarë të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, përfshirë ish-drejtorin Afrim Qendro për korrupsion dhe abuzim me kostot e Unazës së Madhe.
Megjithatë, një hetim i nisur nga Prokuroria nuk arriti të ngrejë akuza ndaj zyrtarëve të kallëzuar penalisht.
Pas atij skandali, Rama arriti të siguronte në mënyrë të dyshimtë mandatin e tretë qeverisës, Gjiknuri vijon të jetë deputet i fuqishëm, ndërsa Afrim Qendro u dërgua në Bashkinë e Vlorës, për të dubluar kryetarin Dritan Leli.
Pasi dolën pa probleme nga ai hetim penal, tashmë zyrtarët e lartë qeveritarë i janë rikthyer sërish kostove të larta për “rrugën e florinjtë”, atë të Unazës së Madhe të kryeqytetit.
Krahas procedurës për ndërtimin e aksit 3 kilometra për shumën 60 milionë euro, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur njëkohësisht edhe tenderat për ndërtimin e lotëve 4, 5, 6 dhe 7 të Unazës së Madhe.