Thellohet skandali për hotelin me 5 yje në Barcelonë! Hetim ndaj zyrtarëve të bashkisë së Tiranës

Nënkryetari Arbjan Mazniku dyshohet se nuk ka qenë zyrtari i vetëm për të cilën administratori i kompanisë Fusha Sh.p.k-kontraktori më i madh i bashkisë së Tiranës, ka paguar akomodimin luksoz gjatë një udhëtimi për në Barcelonë, duke ngritur dyshime për konflikt interesi, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

 Nga Edmond Hoxha-Birn

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku u mor në pyetje paraditen e të hënës në Prokurorinë e Tiranës, pas regjistrimit të një kallëzimi penal për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Mazniku u pyet në cilësinë e personit në dijeni të fakteve, lidhur me pagesën e faturës së akomodimit në një hotel me 5 yje në Barcelonë të Spanjës në qershor të vitit 2018, të kryer aga administratori i kompanisë Fusha sh.p.k., Shkëlqim Fusha.

Megjithatë, sipas dëshmive dhe dokumenteve të mbledhura deri tani, nënkryetari i bashkisë dyshohet se nuk ka qenë i vetmi zyrtar që ka përfituar në konflikt të dyshuar interesi nga ‘zemërgjerësia’ e biznesmenit Fusha.

Dy burime të pavarura brenda prokurorisë i thanë BIRN se gjatë dhënies së deklarimeve përpara policisë gjyqësore të hënën, Mazniku ka deklaruar se përveç akomodimit të tij, Shkëlqim Fusha ka paguar edhe akomodimin e drejtorit të Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Tiranë, Ditjon Baboçi.

‘Arbjan Mazniku është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen, pasi Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës lidhur me pagesën për akomodimin e disa zyrtarëve dhe punonjësve të Bashkisë Tiranë nga një subjekt privat’,pohoi për BIRN një prokuror me dijeni të dosjes.

Sipas të njëjtave burimeve, prokuroria dyshon se biznesmeni Fusha ka kryer pagesën e akomodimit në Barcelonë të Spanjës për një grup të madh drejtuesish dhe punonjësish të bashkisë Tiranë, por jo për kryetarin Erion Veliaj. Mbetet e paqartë se kush i ka paguar kostot e akomodimit kryetarit të bashkisë.

Mazniku raportohet të ketë thënë përpara oficerit të policisë gjyqësore se pagesa është kryer prej Fushës për shkak të ‘mosrakordimit’ të bashkisë për mbulimin e shpenzimeve të akomodimit. Pas dhënies së deklarimeve në prokurori, nënkryetari i bashkisë së Tiranës deklaroi për mediet se ishte i kënaqur që dha informacionin e Bashkisë Tiranë për këtë çështje.

Deri në publikimin e këtij shkrimi bashkia Tiranës, nënkryetari i Bashkisë , Arbjan Mazniku dhe Drejtori i Urbanistikës, Ditjon Baboçi nuk i përgjigjën një kërkese për koment nga BIRN, ndërsa administratori i kompanisë Fusha sh.p.k, Shkëlqim Fusha refuzoi të komentonte.

‘Çështja është duke u gjykuar në Prokurori dhe deri në përfundim nuk mund të japim asnjë mendim për këtë çështje,’ tha Shkelqim Fusha nëpërmjet një mesazhi në rrjetin online të komunikimit WhatsUp.

Kompania Fusha Sh.p.k është kontraktori më i madh i bashkisë së Tiranës dhe vetëm gjatë 4 viteve të fundit – kohë kur në krye të bashkisë ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj, ka përfituar mbi 28.6 milionë euro në fonde publike nga ky institucion.

 

 

Artikulli paraprakShembja e banesave/ Tension dhe përplasje me policinë në Vlorë, banorët: Na gritë nga lekët, banditë!
Artikulli tjetërTirana po qelbet për ujë, Veliaj i jep Zotos së inceneratorëve tender 1 milionë euro për sahatët!