Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar dje në institucionin e Presidentit atdhetarin dhe patriotin e shquar, Themistokli Gërmenji (pas vdekjes) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Atdhetar i shquar, prijës i përmendur i lëvizjes patriotike kombëtare për Pavarësinë e Shqipërisë dhe çlirimin e trojeve të saj, kryesisht i përpjekjeve për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës”.
Kreu i Shtetit ia dorëzoi dekoratën e lartë Kryetares së Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi, e cila në prani të autoriteteve vendore, akademikëve e studiuesve dhe trashëgimtarëve të patriotit-simbol të identitetit kombëtar, u zotua se vlerësimi dhe dekorata do të ruhet dhe do të ekspozohet në shtëpinë-muze të Themistokli Gërmenjit.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani e cilësoi këtë ceremoni si shprehje të respektit ndaj një figure të shquar dhe unike të historisë së Shqipërisë: “Yll i ndritur i patriotizmit shqiptar, që edhe në fikje e sipër ndriçoi madhërishëm si një meteor i pashuar kombin e tij të vogël”.
“Është fjala për një figurë të shtrenjtë të panteonit tonë të heronjve kombëtarë si Themistokli Gërmenji, kujtimi i të cilit na ka mbledhur sot në këtë sallë. Emri dhe vepra e Themistokli Gërmenjit janë vlera jo vetëm të një kohe të asaj periudhe të turbullt dhe kanosëse që kaluan shqiptarët në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të XX, por ato ende vazhdojnë të rrezatojnë fuqishëm në kujtesën tonë kolektive edhe në këtë epokë të globalizmit që ka përfshirë të gjithë botën. Ato janë para së gjithash simbole të rralla të identitetit tonë shtetëror me çelësin e të cilit, paraardhësit tanë hapën derën e Pavarësisë sonë prej nga vërshoi vrullshëm vullneti i këtij populli për të ngritur shtetin e ri, si të tilla emri dhe vepra e tij nuk i përkasin aspak dhe vetëm atij qyteti të mrekullueshëm, Korçës së vyer e të shtrenjtë, për të cilën thuri ëndrrat më të bukura, Ai nuk është thjesht biri i trevës së Korçës. Pikë së pari, ai është djali i adhuruar i të gjithë shqiptarëve të sotëm të brezave të shkuara, të tanishme dhe të atyre që do të vijnë, për arsye se ai mendoi e veproi, punoi e luftoi për një Shqipëri të lirë e të përjetshme që do ta gëzonin të tërë banorët e krahinave dhe trevave në mbarë territoret, ku flitet gjuha jonë e bukur shqipe”, tha më tej në fjalën e tij Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani vazhdoi më tej me përshkrimin e atyre ngjarjeve historike që shoqëruan Shqipërinë që nga fundi i shekullit XIX, kur fati i vendit u vu në pikëpytje nga shovinizmi ballkanik që synonte copëtimin integral të trojeve tona dhe zgjimit të ndjenjave atdhetare që erdhën prej shqiptarëve të emigruar të kolonisë së Bukureshtit. Mes tyre, spikati emri i Themistokli Gërmenjit, cili nga pronar i hotelit “Liria” në qytetin e Manastirit u bë një nga strategët e së ardhmes që u vu në krye të luftës së armatosur, atje ku e thërriste ndërgjegjja në vendlindje.
Kreu i Shtetit evidentoi rolin e Themistokli Gërmenji si arkitekti i Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin të Korçës kur më 28 nëntor 1912 ngriti flamurin kuq e zi dhe ku njohu autoritetin e qeverisë së re të Ismail Qemalit, emigrimin e tij të dytë në Bullgari pas pushtimit të vendit, aktivitetin e tij politik me botimin e revistës “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” në Sofje, e cila u kthye në një tribunë e çështjes shqiptare, zëri i së cilës arriti të ngacmonte dhe vëmendjen e administratës së Presidentit Uillson.
“Pikërisht në kulmin e dyluftimit të ushtrive të huaja në Luftën e Parë Botërore në sajë të intensifikimit të mjeteve të transportit që u futën në Shqipëri u masivizua futja e kësaj reviste me cilësi profesionale në vend, që e ngriti reputacionin e Themistokli Gërmenjit në apoteozën e tij. Ishte ky nderim publik për të ngritur ngadalë në kuotat më të larta që përgatiti etapën e fundit më të lavdishme të karrierës së tij, por qe edhe faza e fundit finale tragjike e shtegtimit të jetës së tij që u ndërpre në mes, shoqëruar natyrisht me një trishtim tejet të thellë.
Erërat që frynin në motin e acartë të Luftës së Parë Botërore qenë aq të egra sa e goditën për vdekje Themistokli Gërmenjin, shtetarin e duhur shqiptar, që do të zbatonte kompromisin brilant të historisë mes trupave ushtarake franceze e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Korçë. Në sajë të punës e kontributit të tij, Krahina Autonome e Korçës ishte një etalon i aftësive shtetformuese shqiptare pikërisht në një zonë që ishte bërë prej kohësh një qendër e qytetërimit shqiptar”.
Shumë njerëz ndahen fizikisht, por të respektuar prej nesh, duke mos lënë asnjë gjurmë, por ka edhe të tjerë që enden në kujtesë si shenjtorë të lirisë. I tillë mbetet për Korçën dhe Shqipërinë, Themistokli Gërmenji, ky bir i përhershëm i Pavarësisë së shqiptarëve kudo ku ata gjenden, ndaj ai dhe kujtimi i tij do të jetojnë gjithmonë, duke qenë përjetë i pavdekshëm. Ndaj, është në nderin tim sot, që në cilësinë e Presidentit të Republikës, të vlerësoj patriotin e luftëtarin Themistokli Gërmenji (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Vlerësimi për ata që luftuan për këtë vend nuk do të rreshtë kurrë, dhe le të jetë kjo ceremoni një hap tjetër drejt nxjerrjes në pah të atyre që dhanë kaq shumë për Shqipërinë dhe të cilëve u detyrohemi për t’i nderuar!” – u shpreh Presidenti i Republikës.