Thesi për blerje votash, Rama 44 miliardë lekë për “karburant”

Një zhvatje e madhe parash është përgatitur në një dorë të vetme përmes një tenderi që Ministria e Brendshme pak javë më parë ka shpallur për blerje karburanti me një shifër marramendëse prej 44 miliardë lekësh. Kjo shifër kaq e madhe parash është e pazakontë krahasuar me gjithë tenderat e tjerë që janë shpallur për të njëjtin zë “blerjen e karburantit”. Denoncimi vjen nga deputetja demorkate, Jorida Tabaku, e cila përmes një postimi në Facebook ka publikuar dokumentat e tenderit, ku kërkohet blerje karburanti me një vlerë prej 44 miliardë lekësh. Tabaku ka sjellë në vëmendje edhe tenderat për 5 vitet e fundit, (kjo shifër nuk përfshin institucionet e varësisë, bashkitë etj)., për të njëjtin objekt prokurimi. Në to, dallohet diferenca e madhe monetare me tenderit e fundit të Ministrisë së Brendshme, ku shuma është e ‘fryrë’ së tepërmi. “Çmenden shpenzimet për karburant të qeverisë, tender i ri 43,9 mld lekë! Katër vjet më parë, kryeministri akuzonte qeverinë Berisha se, shpenzonte paratë e shqiptarëve për karburant. Se shpenzonte paratë e taksapaguesve për t’ia falur bizneseve dhe zotohej se asnjë qindarkë e shqiptarëve nuk do të shkonte dëm. Në katër vjet buletini i prokurimeve ka qenë regjistri i abuzimit me paratë e shqiptarëve. Në katër vjet, prokurimet publike kanë qenë borderoja ku oligarkët e qeverisë shtrydhnin buxhetin. Në katër vjet, ai ka qenë çertifikata e abuzimeve të rilindjes. Sot, në fundin e shëmtuar të saj, rilindja ka ndërmarrë një tjetër aksion plaçkitës ndaj taksave tona. Në tenderin e fundit për karburant, ajo do të shpërndajë në bizneset pranë saj shumën e 44 mld lekëve. Do t’u japë nga paratë e shqiptarëve 4 herë më shumë para se sa katër vjet më parë. Edhe pse sot, shqiptarët paguajnë më shumë taksa se çdo kush tjetër në rajon. Kjo nuk është vetëm çmenduri, por makutëri. Ja si përgatitet të përdorë çdo grimcë pushteti për zgjedhjet. Nuk mjaftojnë kriminelët, nuk mjaftojnë paratë e drogës, vendet e hapura rishtaz në administratë duhej dhe qindarka e fundit! Për transparencë tenderat për 5 vitet e fundit (kjo shifër nuk përfshin institucionet e varësisë, bashkitë etj): 2017 është shpallur me vlerën 4,39 mld (elektoral), 2016 ka qenë 1,3 mld; 2015 ka qenë 1 mld; 2014 ka qenë 1,58 mld; 2013 ka qenë 1,16 mld (elektoral) shprehet deputetja Tabaku.

Artikulli paraprakVeliaj i Tiranës, Tosi i Veronës dhe terrorizmi
Artikulli tjetërShpërdorimi i fondeve, investimet në energji nuk ulën humbjet teknike