Për Thiago Alcantaran, Reali i Madridit nuk është superior ndaj ekipit të tij. Politikat e merkatos së Bayernit për të mos synuar afrimet e veteranëve me vlera marramendëse financiare, por duke afruar emra të rinj si Corentin Tolisso apo Serge Gnabry, marrin vlerësimin dhe mbështetjen e mesfushortit 26-vjeçar. Për të, Bayerni i Mynihut renditet në të njëjtat nivele me më të mirët e Europës në vlera edhe pse numrat e trofeve mund të jenë të ndryshëm, ndaj me këtë klimë optimiste lojtari ka pritshmëri të larta për sezonin 2017-2018.
Krahasuar me Barcelonën dhe Realin e Madridit, Bayerni gjithshtu liston emra yjesh botërorë brenda tij, diferencat për të nuk janë në kualitet, pasi aty ai ndjehet 100 për qind i barabartë me këto skuadra. Ai zbulon se brenda dhomave të zhveshjes së ekipit gjerman nuk lakohen emra lojtarësh, por promovohet fryma dhe shpirti i skuadrës. Sigurisht, që në një botë të tillë financat janë shumë të rëndësishme, por jo gjithmonë ato ndërtojnë ekipe me shpirt, kjo është filozofia që Bayerni mundohet të promovojë. Thiago gjithashtu i del në krah edhe Karlo Ançelotit, duke i cilësuar të gjitha kritikat ndaj tij si të pavënda, pasi italiani sipas tij arriti të nxirrte më të mirën nga kjo skuadër dhe është një ndër trajnerët më të mirë në botë si nga ana teknike dhe ajo njerëzore.