Thiago Silva mund të rikthehet tek Milani. Largimi i David Luiz nga radhët e PSG për t’iu bashkuar ish-skuadrës së tij të Chelsea, mund të pasohet me një tjetër eksod nga “Parc des Prince”. Thiago Silva, i cili i dha lamtumirën Milanit në vitin 2012 për t’iu bashkuar parisienëve për shumën e 42 milionë eurove, me gjasa mund t’u bashkohet sërish kuqezinjve, falë afrimit të investitorëve kinezë, të cilët duket se përforcimin e skuadrës kërkojnë ta nisin pikërisht nga braziliani.
Vetë 31-vjeçari e ka lënë gjithmonë të hapur alternativën për një rikthim të mundshëm të tij në “San Siro”. Bisedimet do të nisin vitin e ardhshëm, një vit përpara përfundimit të kontratës së tij me kampionët e Francës. Viti 2017 duket se do të jetë viti i Milanit përsa i përket përforcimeve, pasi në merkaton dimërore kuqezinjtë po mendojnë të transferojnë edhe sulmuesin e Lazios, Keita Balde.
Senegalezi pritet që në ditët e ardhshme të rinovojë kontratën e tij deri në vitin 2020. Klauzola e kësaj marrëveshjeje do të arrijë shifrën e 25 milionë eurove. Gjithashtu në qendër të vëmendjes nga ana e drejtuesve të Milanit është edhe spanjolli Cesc Fabregas, i cili duket se nuk po gjen hapësira tek Chelsea i Antonio Contes. Kështu janari i vitit 2017 do të sjellë emra të rinj në radhët e Milanit, në mënyrë që skuadra të rikthehet në majat më të larta të futbollit europian.