Një nxënëse e gjimnazit “Eqerem Çabej” u plagos dje me thikë nga një djalë gjatë pushimit të gjatë. Nxënësja është plagosur në pjesën e ballit. “16-vjeçarja ka hyrë për të ndarë dy shokë të saj që po grindeshin. Njëri prej tyre ka nxjerrë thikën dhe aksidentalisht ka mbetur e plagosur në ballë, shoqja që hyri t’i ndante”, kanë rrëfyer dëshmitarët.
Ngjarja ka ndodhur gjatë pushimit të gjatë në ambientet e shkollës dhe kjo e bën më të rëndë situatën, pasi nxënës të klasës së 10-të shkojnë me thika në mësim. Policia ka shoqëruar dy nxënësit që u përfshinë në sherr, ndërsa nxënësja është dërguar në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mësohet se e plagosura është jashtë rrezikut për jetën.
Policia i ka kërkuar disa herë Ministrisë së Arsimit që shkollat dhe sidomos gjimnazet të pajisen me detektorë. Gjithashtu në shumë prej shkollave nuk ka kamera sigurie.
Ligji për sigurinë publike detyron të gjitha institucionet dhe shkollat publike të pajisen me kamera sigurie, por ky ligj nuk është zbatuar. Madje edhe në rastet kur shkollat kanë kamera sigurie këto nuk janë funksionale.
Ngjarja ndodh një ditë pas krimit të rëndë që tronditi kryeqytetin, ku një 23-vjeçar i mori jetën studentes së Drejtësisë, pasi i kishte refuzuar lidhjen.