Nga Liridon Mulaj
‘Stina’ e pandemisë ishte edhe stina e shkrimtarëve, ose më qartë stina e prodhimtarisë letrare. U shkruajt për situatën, për virusin, për izolimin, kush e kush të linte gjurmën e tij letrare në këtë periudhë të rrallë të historisë së njerëzimit. Shkrimtarët i vendosën mënjanë subjektet e nisura prej kohësh, për të shkruar diçka krejt tjetër, të paparashikueshme. Ekzistojnë konkurse letrare me temë ta paracaktuar, dhe krijuesi duhet të shkruajë një tregim, poezi apo novelë mbi atë temë. Në rastin e pandemisë, u duk sikur tema e përbotshme dhe e përbashkët e të gjithëve, ishte pandemia. Dhe kjo, jo thjesht në pikëpamje të subjektit. Izolimi i pandemisë dhuroi diçka tjetër, shpesh të munguar e gjithmonë të pakët – kohën. Koha ishte dhurata më e madhe në mes kësaj tragjedie. Dhe në fundin e vitit 2020, njëkohshëm me vaksinat dhe zbulimet mjekësore, panë drtitën e botimit dhe veprat e shkruara përgjatë pandemisë ekstreme të muajve të parë. Pandemia rizgjoi ‘vesin’ aq të munguar të të lexuarit tek ata që e kishin ‘harruar’ këtë ves, duke i falur shkrimtarit një gjendje aq të lakmueshme, në një habitat aq të ëndërruar. Tani mund ta themi se, në mes të kësaj të keqeje të madhe, njerëzit gjetën njëfarë shpëtimi te letërsia. Një nga produktet letrare të kësaj periudhe ishte dhe vëllimi me tregime “Thika pa gjak”, i shkrimtarit tashmë klasik shqiptar, Zija Cela, një botim luksoz hard cover i shtëpisë botuese “Onufri”. Vëllimi nis me “Ëndrrat me pulëbardha”, një tregim i shkurtër, si një “aperitiv” joshës dhe parapërgatitës për lexuesit. Më pas vijon me tregimin “Margarita dhe tullumbace”, që paraqet dramën e shkëputjes së fillit mes brezave, nga dashuria njerëzore në atë materiale e më pas sërish në atë njerëzore. Autori i qaset ciklit jetësor të dashurisë: a përfundon, zëvendësohet, rikthehet dashuria? Raporti fëmijë-prind si një proces i moskompensimit të brezave, si padrejtësia më e madhe që njerëzimi krijoi, si shpagim ndaj vetvetes. Ndryshe vjen tregimi “Cili je ti dhe cila është”, e kundërta e “Margarita dhe tullumbace”, ku sublimohet dashuria pavarësisht mefshtësisë dhe mosreagimit për shkak të demencës. Andre de La roca, një violinist amator, ia del ta dashurojë gruan e tij dhe ta ushqejë këtë dashuri pa marrë asgjë në këmbim. Personazhet ngjajnë sikur kanë moshën e autorit, ndoshta si një paralelizëm moshor të kushtëzuar për të mos iu mëshuar aventurave fiksionale të lodhshme dhe shpesh të panevojshme, kur autori/rrëfimtar dhe personazhi ia kanë mbërritur pikut të përvojës. “Asprat e Judës”, është një minitregim – ekstrakt i ngjeshur letrar, si një ekuacion konspiracionist me disa të panjohura, ku zanafilla jep shtysën por vazhdimi zgjerohet deri në infinit, si një vulë tragjike që trashëgohet në forma të tjera. Tregimet e tua janë Borghesiane, i thashë Çelës në një bisedë, dhe duke i paraprirë mosbindjes së tij shpërfillëse ndaj këtij përcaktimi prej megallomani (sipas Celës), unë ju sfidoj të lexoni tregimin “Brezi i shkretëtirës”. Do të ndjeni alegorinë e një teksti letrar pothuajse distopik, të thurur mbi dramën e vjetër të një populli nomad. Shkrimtari është parashikues, dhe në rastin e Brezit të shkretëtirës; ai rrëfen si një orakull i vetmuar të ardhmen e dhimbshme të një territori që po shkon drejt shpopullimit e gjithashtu vetminë e autokratit, shkaktar. Imagjinata e Floretës tek tregimi “Floreta shkon në fluturim” na rrëfen hipnozën që mbërthen qeniet ëndërrimtare të cilët të mundur nga ekzistenca, kërkojnë shpëtim nëpërmjet saj.
Në një shkrim të hershëm, të titulluar “ Pse Zoti zgjedh shkrimtarët” e trajtoj vdekjen si një mesazh që Zoti ka zgjedhur ta përcjellë kumtin e dhimbjes nëpërmjet shkrimtarëve, si të vetmet qenie që ia dalin ta shndërrojnë këtë dhimbje në forcë e më pas në frymëzim për njerëzimin. Në saje të shkrimtarëve, vdekja e zbeh dhunën e saj, e dhimbja shkërrmoqet ngadalë brenda shpirtit. Këtë raport të dhimbshëm e gjejmë te “Përpara portës”, tregim gjenial të cilit do të keni nevojë t’i ktheheni sërish, për ta rilexuar disa herë.
Tregimet e Zija Celës vishen nga një sarkazëm dhe ironi e mprehtë, e gjithaq ironizojnë qeniet amorale nëpërmjet groteskut. Ndikimin e moralistëve të rremë mbi njeriun e dobët, e paraqet si pasqyrë e qartë e realitetit të brishtë shqiptar, realitet i cili të përngjan me një thikë të madhe që në ia ngulim vetes herë pas here. Dhe, tregim pas tregimi, do të plotësohet peizazhi i madh i një jete të vrullshme dhe plot të papritura. Raporti i njeriut me dhimbjen, me lumturinë, tradhtinë, zhgënjimin e me çdo ndjenjë të cilën ai e përthith për t’ia rikthyer sërish mjedisit përreth, tashmë të shndërruar në një territor të panjohur gati-gati ireal, ku njeriu goditet pa pushim prej thikave të jetës, thikave pa gjak që vrasin shpirtin, dhe e kruspullojnë qenien njerëzore në një dëshpërim dhe frikë të përhershme. /Gazeta Liberale