Thikë pas shpine drejtësisë, nuk ndalen përgjimet e dekriminalizimi

Kërcënimet ndaj gjyqtarëve prej më shumë se një jave nga kreu i qeverisë dhe ministri i Brendshëm kishin katër objektiva politike të pastra të Ramës.
Objektivi i parë kishte të bënte me shpëtimin nga prangat të drejtorit të policisë dhe Rroshit. Objektivi i dytë ishte se duke liruar Çakon dhe Rroshin ata largonin rrezikun e hetimit nga vetja e tyre. Objektivi i tretë ka të bëjë me dekurajimin e punës së Prokurorisë me dy çështje që ata janë fokusuar gjatë javëve të fundit dhe që janë skandali i përgjimeve dhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit. Dhe qëllimi i katër ishte futja nën thundër e drejtësisë dhe legjitimimi i kërcënimeve si mjet presioni që fundosnin dhënien e vendimeve nga gjykatat.
Nga produktet e vendimit të dhënë nga gjykata për të rikthyer në detyrë Haki Çakon dhe për të rikthyer në shtëpi Rroshin duket se ka funksionuar në këtë pikë. Në lidhje me tre objektivat e tjera, gjithçka mbetet e hapur dhe duket e vështirë që opozita dhe opinioni të pranojnë të nënshtrohen në të njëjtën mënyrë si u nënshtruan gjykatat.
Kryetari i opozitës e konsideroi një “ditë kritike” të djeshmen, duke paralajmëruar edhe një radikalizëm të aksionit politik opozitar gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Çështja e hetimeve të përgjimeve nuk mund të ndalojë, ndërsa Basha ka paralajmëruar se zbardhja e përgjimeve do të sjellë fundin e turpshëm të Ramës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ligjin e dekriminalizimit. Ngecja në vend e ligjit të dekriminalizimit me rikthimin në shtëpi të përdhunuesit të Ramës në Kavajë është një goditje e rëndë që merr zbatimi i këtij ligji, por kjo nuk mund të ndalet. Nëse do të pranohej kjo, atëherë do të ishte fundi i gjithçkaje normale në këtë vend dhe politika do të mund të shndërrohej me urdhër politik nga Rama në një arenë ku ndeshen balozët e krimit.

Hetimi i përgjimeve

Skandali i përgjimeve vijon që të ketë surpriza të tjera gjatë ditëve të ardhshme. Haki Çako ka pranuar përgjimet e paligjshme pavarësisht formë së deklaratës së tij para Prokurorëve. Prova të tjera pritet të dalin
Referuar hetimeve të kryera, Prokuroria ka zbuluar se pajisja është përdorur për të përgjuar, jashtë misionit trajnues që ajo ka patur. Hetimet pritet të zbulojnë edhe personat që kanë qenë nën përgjim. Të paktën në dy raste makina me pajisjen e instaluar ka qenë në dorë të specialistit të Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj, i cili tashmë gjendet në gjendje arresti, me vendim të Gjykatës.
Shefi i tij, Artion Duka, është gjithashtu në arrest shtëpie. Prokuroria e Tiranës, veç urdhërit për sekuestrimin e pajisjes po i vijon hetimet, pasi dyshon se “pas veprimeve të kundërligjshme të përgjimit, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Hetimet nuk përjashtojë arrestime, në nivele të larta. Prokuroria dhe SHISH kanë deklaruar se pajisja ka cënuar sigurinë kombëtare.
Më 13 maj të këtij viti, “Fuoristrada” tip BMË me targa italiane, me pajisjen e përgjimit të instaluar në brendësi të saj, doli nga Drejtoria e Përgjitshme e Policisë së Shtetit. Libri i hyrje–daljeve në ambientet e Forcës Operacionale shënoi orën 12:10 kur mjeti u largua nën drejtimin e specialistit të Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj.
Në të njëjtën orë, dy oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës gjendeshin në katet e sipërme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me një mandat për ta sekuestruar pajisjen e përgjimit, pasi ajo ishte futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri e po ashtu dyshohej se ishte përdorur në mënyrë të paligjshme për të kryer përgjime.
10 minuta, pasi ata kishin hyrë në zyrat e selisë së Policisë së Shtetit, mjeti u largua fshehurazi tyre. Prej asaj ore, BMË–ja e Interforcës italiane nuk u kthye më aty ku kishte qëndruar në pjesën më të madhe të kohës, që prej futjes së saj në Shqipëri, më 11 mars të këtij viti.
“Automjeti në periudhën para kësaj date (12 maj) rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambjenteve të Forcës Policore Operacionale”, shënuan prokurorët në dosjen hetimore. Një e dhënë kjo që përgënjeshtron shefin e Policisë italiane, Alessandro Pansa, i larguar nga detyra si për koincidencë ditët kur në Shqipëri shpërtheu skandali i pajisjes së përgjimit, me një vendim që ishte marrë në prill të këtij viti nga qeveria italiane, pak javë, pasi pajisja kishte hyrë në Shqipëri dhe ishte zbuluar nga Shërbimet Sekrete shqiptare.

Përse Rama dhe Tahiri mbrojnë Çakon

Prokuroria në njoftimin zyrtar ka sqaruar edhe rolin e dy prej njerëzve të tjerë të policisë të përfshirë në skandalin e përgjimeve. Të dy të veshur deri tani nga policia rezultojnë jo vetëm se kanë qenë në dijeni të pajisjes së përgjimit, por kanë bërë lëvizjet e saj, duke ia fshehur Prokurorisë dhe duke e lëvizur nga Drejtoria e Policisë.
Nga pozicionet që ata kanë në polici, kuptohet edhe mënyra se si ka vepruar Rama dhe Tahiri në këtë skandal. Gjithçka duket se është lëvizur me urdhër nga lart dhe urdhri ka shkuar nga ministri tek vartësi më i fundit që ka bërë dhe transportuesin e pajisjes së përgjimit dhe që është specialist pranë Forcës Operacionale, ndërsa urdhrat i ka marrë direkt nga drejtori i tij, Duka.
Të gjitha lëvizjet e pajisjes së përgjimit janë bërë sipas hierarkisë së pushtetit dhe pozicioneve të drejtuesve në polici. Rama ka urdhëruar Tahirin, Tahiri ka urdhëruar drejtorin e Policisë, Çako. Ky i fundit më pas ka urdhëruar drejtuesin e Forcave Operacionale, Duka dhe më pas Duka ka urdhëruar oficerin e tij, Xhelilaj që të bëjë lëvizjen e pajisjes në momentin që prokurorët prisnin prej orësh të bënin sekuestrimin në Drejtorinë e Policisë. Prokuroria e ka të plotë skemën e lëvizjes dhe ajo ka konfirmuar me oraret e përcaktuara, lëvizjet e saj sikurse i ka me emra njerëzit, të cilët janë marrë me transportin e pajisjes.
Është e qartë për këdo se as Haki Çako dhe aq më pak specialisti i Forcave Operacionale, Xhelilaj të mund të bënin lëvizje të pajisjes së përgjimit pa pasur urdhër nga eprori në ministri, sikurse është po aq evidente se as Çako dhe askush tjetër të refuzonin për orë të tëra prokurorët që të sekuestronin pajisjen pa pasur miratimin e Tahirit.
Të gjitha hetimet e kësaj pajisje përgjimi të futur dhe përdorur në mënyrë jo ligjore të çojnë tek ministri i Brendshëm.

Exit mobile version