Thikë pas shpine Drejtësisë

Bledi KASMI

Gjykata e Apelit vendosi dje të lirojë nga arresti shtëpiak dy oficerët e policisë që janë kapur në flagrancë nga Prokuroria në skandalin e përgjimeve. Nuk do të kishte sens komentimi i vendimit të gjykatës sikur në të, të mos binte në sy një emër në këtë trup gjykues.
Bëhet fjalë për gjyqtaren Edlira Petri, e cila i ka bërë një nder qeverisë, konkretisht ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit duke rikthyer në detyrë përgjuesit dhe duke demoralizuar dhe njollosur publikisht një ndër hetimet më serioze të Prokurorisë.
Po përse kjo gjyqtare është në konflikt interesi me vendimin që ka marrë? Ajo është bashkëshortja e Sokol Sadushit, i cili rezulton që të jetë një nga ekspertët e përzgjedhur nga Rama për të bërë Reformën në Drejtësi së bashku me Fatmir Xhafën. Pra, bashkëshorti bën reformën sipas Ramës, ndërsa bashkëshortja e tij bën detyrën si gjyqtare duke liruar po për llogari të Ramës autorët e skandalit të përgjimeve.
Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit është një thikë pas shpine për Prokurorinë dhe drejtësinë dhe të gjithë opinionin publik. Drejtësia nën thundrën e Ramës me gjyqtarë që i kanë shitur shpirtin djallit, me ekspertë që hartojnë nene të Reformës në Drejtësi për të përjashtuar opozitën, është paralajmërimi më i keq për atë që mund të ndodhë nesër.
Sadushi dhe bashkëjetuesja e tij që liron autorët e skandalit të përgjimeve janë modeli që Rama po kërkon të kalcifikojë me Reformën në Drejtësi. Ky është një nepotizëm i pastër në sistemin e drejtësisë dhe një vendimmarrje e kthjellët politike në shërbim të kreut të qeverisë.
Këta nuk mund të jenë as ekspertë të pavarur dhe as gjyqtarë. Këta janë kamikazë që veprojnë mbi bazën e urdhrave politikë dhe jo mbi bazën e ligjeve. Po kërkojnë të rikthejnë një sistem ku drejtësia vritet në emër të popullit sikurse bënë dje.
A mundet një reformë të miratohet kur në themel të saj janë standardet e Sadushëve të Ramës? Kush mund të ketë moralin pas këtyre vendimeve që t’i kërkojë opozitës që të legjitimojë këtë kapje të drejtësisë për llogari të pastra politike të Ramës? Transparenca e këtyre vendimeve skandaloze i bën vetëm mirë shoqërisë dhe e bën më të kthjellët për të kuptuar se si mund të jetë Reforma në Drejtësi sipas modelit “Rama”. Një drejtësi e politizuar mund të prodhojë krime të përbindshme dhe historia jonë e provon këtë.

Exit mobile version