Thirrja e dëshpëruar e Zamirës 11-vjeçare: Ju lutem, jepini mamit ndihmën ekonomike

Shaqe Nikolli është një kryefamiljare, e cila prej vitesh jeton me dy vajzat e saj të mitura, pasi nuk e ka më mbështetjen e bashkëshortit, që i është larguar nga kjo jetë.
E vetme dhe pa mbështetjen e askujt, Shaqja po mundohet t’ia dalë, ndonëse vështirësitë financiare i ka të mëdha. Në një dhomë, që në fakt është një kuzhinë bashkë me tualetin, Shaqja mundohet të rrisë dhe edukojë dy vajzat e saj, 11 dhe 13-vjeçare. Ajo jeton në lagjen Valias të Bashkisë Kamëz, por prej kohësh trajtohej vetëm me një ndihmë ekonomike, e cila nuk e kalonte vlerën e 2 mijë lekëve të reja.
Por, familja e Shaqes e mban frymën gjallë nga donacione të shumta që i japin shoqatat, pasi në muajin janar shteti i hoqi edhe pagesën e Ndihmës Ekonomike. Shaqja thotë se, me këtë ndihmë ekonomike mundohet të blejë jo më shumë se 1 thes miell dhe disa kilogramë patate, për të tjerat jeton me shpresë se dikush do i falë diçka. Sinkron Situata social-ekonomike e krijuar si pasojë e mosdhënies së pagesave të ndihmës ekonomike ka ndikuar edhe në anëtarët e familjeve të përjashtuara.
Zamira, vajza e Shaqes, tregon se ndonëse familja e saj jeton vetëm me pagesën e Ndihmës Ekonomike, ajo shkon në shkollë dhe ëndërron të bëhet doktoreshë. Koshiente për vështirësitë që ka përpara, ajo thotë se ndjehet krenare për veten dhe familjen e saj, por ka edhe një lutje për të gjithë: Që të ndihmojnë nënën e saj dhe t’i japin pagesën e përmuajshme të Ndihmës Ekonomike.

Fatin e Shaqes e ka edhe Luçie Haklaj, një grua e cila prej vitesh jeton e vetme në një dhomë, pasi nuk e ka më bashkëshortin e saj. Luçija rrëfen, se përpara tre vitesh trajtohej me një pagesë invaliditeti, pasi dy gjymtyrët e sipërme i ka me probleme dhe nuk mundet të punojë. Pavarësisht kësaj, kjo pagesë invaliditeti iu hoq, pa e marrë parasysh askush gjendjen e saj. Por, nuk mjaftoi me kaq, edhe Luçijes i hoqën 1700 lekë që merrte pagesë ndihme ekonomike çdo muaj, duke e lënë tërësisht në mëshirë të fatit.
Si dy familjet, Haklaj dhe Nikolli, janë edhe qindra të tjera në Bashkinë Kamëz, të cilat që nga muaji janar nuk e përfitojnë më pagesën e Ndihmës Ekonomike. Astrit Vata, drejtori i Ndihmës Ekonomike në këtë bashki, thotë se nga skema e ndihmës ekonomike në këtë bashki janë hequr752 familje të varfëra. Vata shpjegon, se kanë aplikuar 952 familje të tjera. Por thekson, se që nga viti 2013 numri i familjeve përfituese ka ardhur në rënie. Ai saktëson, se në vitin 2013, kjo bashki trajtonte me ndihmë ekonomike 7 mijë familje, ndërsa në vitin 2018, ky numër ka zbritur në 1306 familje.
Përjashtimin e familjeve nga skema, Vata thotë se e kanë bërë ekspertët e Shërbimit Social, madje, nuk janë bërë në terren as verifikimet e duhura, për të parë realisht sesi jetojnë familjet që u larguan nga skema. Sinkron ai shprehet, se ky penalizim rëndon së tepërmi situatën sociale dhe ekonomike të këtyre familjeve, të cilat jo të gjitha mund të trajtohen nga fondet rezervë të bashkisë.

Të gjendur përballë faktit, ku në të gjithë vendin janë përjashtuar nga skema e Ndihmës Ekonomike rreth 20 mijë familje, ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, thonë se këto familje duhet patjetër që të riaplikojnë, pasi mund të ketë edhe gabime të sistemit të pikëzimit. Drejtorja e Përkujdesit Shoqëror dhe Shërbimeve të Integruara në ministri, Denada Seferi, thotë se verifikimi i përfituesve nuk ka përfunduar dhe mund të ketë familje të varfëra që për gabime njerëzore kanë dalë jashtë skemës.
Për familjet në nevojë që janë nxjerrë nga skema si pasojë e llogaritjes së sistemit të pikëzimit, Seferi pohon se të gjitha rastet duhet të trajtohen nga bashkitë, të cilave u janë kaluar fondet e nevojshme. Sinkron nga verifikimet e skemës ka rezultuar se shumë persona në moshë aktive pune kanë refuzuar të punojnë ose nuk kanë një zanat. Ndaj së shpejti qeveria do të miratojë një vendim që kësaj kategorie t’u ofrohen 1-3 muaj kurse profesionale falas.

Aktualisht skema e re e ndihmës ekonomike është shtrirë në të gjitha qarqet e vendit. Sipas të dhënave, në këtë skemë janë shtuar 18 mijë familje të reja përfituese, pothuajse po aq sa edhe janë hequr për përfitimin në mënyrë abuzive. Por, mënyra e aplikimit të kësaj skeme thuajse të re, shihet me skepticizëm nga ana e përfaqësuesve të opozitës. Një nga zërat më të fuqishëm, që pretendon për mungesë serioziteti nga shteti në drejtim të trajtimit të këtyre familjeve, Oriola Pampuri, thotë se në fakt, përjashtimi i këtyre familjeve tregon nivelin shumë të lartë të varfërisë në vend.
Pampuri thotë se rastet janë aq të shumta, sa gjithkush që mund t’i shohë nga afër mund të konstatojë sesi jetojnë këto familje. Sinkron Pampuri pretendon, se nga skema janë larguar familje vetëm pse janë të djathta, dhe kjo për të është një këmbanë alarmi sesi shteti luan me varfërinë e njerëzve. Sinkron Pampuri shprehet, se qeveria duhet patjetër të luftojë varfërinë, por kjo bëhet përmes vendosjes së prioriteteve, jo koncesioneve korruptive për shërbime të ndryshme.
Në muajin janar, nga skema e Ndihmës Ekonomike u përjashtuan rreth 20 mijë familje në të gjithë vendin, ku numrin më të madh e kanë qarqet Kukës, Dibër, Shkodër.

Exit mobile version