Thirrja e shoqërisë civile: Të tërhiqen të gjitha kandidaturat për zgjedhjet lokale

Shoqëria Civile e cilëson gjykon si anormale shpalljen e kandidaturave për kryetarë bashkie për zgjedhjet e 30 Qershorit 2019.
Reagimi vjen nga rrjeti “Zëri i Integrimit”, që është një hapësirë e lirë debati mbi Integrimin Evropian të Shqipërisë.

Përmes një deklarate publike, “Zëri i Integrimit” thekson se zgjedhjet lokale janë një moment bashkimi, ku komunitetet e bashkive, nga vetë fjala bashkësi, zgjedhin përfaqësuesit që do jenë përgjegjës dhe do u delegohet vetë – administrimi i komuniteteve, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe paqtuese. P

ra zgjedhjet lokale nuk kanë si qëllim prevalimin e njërës palë mbi tjetrën, e njërës skuadër mbi tjetrën, por kanë si qëllim zgjedhjen e kandidatëve që kanë mundësi reale për të sjellë zhvillim ekonomik, paqe sociale dhe harmoni ndërmjet grupimeve të ndryshme të komuniteteve bashkiake.

Reagimi i plotë:
Rrjeti i profesionistëve dhe aktivistëve të #ZëriIngrimit gjykon si anormale shpalljen e kandidaturave për kryetarë bashkie për zgjedhjet e 30 Qershorit 2019, nga ana e partive politike, bazuar në arsyet në vijim:

Zgjedhjet lokale janë një moment bashkimi, ku komunitetet e bashkive, nga vetë fjala bashkësi, zgjedhin përfaqësuesit që do jenë përgjegjës dhe do u delegohet vetë – administrimi i komuniteteve, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe paqtuese.

Pra zgjedhjet lokale nuk kanë si qëllim prevalimin e njërës palë mbi tjetrën, e njërës skuadër mbi tjetrën, por kanë si qëllim zgjedhjen e kandidatëve që kanë mundësi reale për të sjellë zhvillim ekonomik, paqe sociale dhe harmoni ndërmjet grupimeve të ndryshme të komuniteteve bashkiake.

Aktualisht një pjesë e mirë shoqërisë ka formalizuar kërkesën për mos – zhvillimin e zgjedhjeve në datë 30 Qershor, nëpërmjet partive përfaqësuese të opozitës.

Nga informacionet që kemi në dispozicion, si rrjet profesionistësh dhe aktivistësh, një përqindje që varion nga 20% deri në 60% të popullsisë bashkive, në varësi të preferencave të ndryshme më bashkitë e vendit, nuk pranon zgjedhje lokale në 30 Qershor.

Pra aktualisht kemi grupime të konsiderueshme brenda komuniteteve që qartësisht refuzojnë të hynë në zgjedhje lokale. Nuk duhet harruar se me mos – pjesëmarrjen e opozitës, dhe plus pjesa gri që nuk voton, rrezikojmë që bashkitë të qeverisen nga mandati i 10 – 20% e komunitetit.

Shpallja e kandidaturave, nga partitë e lidhura me ekzekutivin qendror, pa marrë parasysh vullnetin e komuniteteve formuese të bashkive, përbën një injorim të qartë nga ana e pushtetit qendror ndaj autonimisë së pushtetit lokal.

Përtej dyshimi të arsyeshëm se kandidaturat janë de facto emërime dhe jo përzgjedhje nga brenda komuniteteve, shpallja medeomos e tyre, në një verbëri institucionale, është papërgjegjshmëri e partive ndaj shëndetit të komuniteteve formuese të bashkive.

Nuk duhet harruar se partitë politike janë të rregulluara në dokumentin themeltar të Republikës së Shqipërisë, në Kushtetutë, prandaj dhe përgjegjësia e tyre bëhet thelbësore në mbajtjen e rendit kushtetues.

Kryetarët e bashkive aktualë, të cilët janë denoncuar për të kaluar kriminale, lidhje me krimin, apo krim elektoral, aktualisht, nga të dhënat që kemi në dispozicion nga media e specializuar, ose do kandidohen, ose do t’ja lënë vendin e kandidatit një pasardhësi të zgjedhur, me shumë gjasa, po nga ata vetë, pa asnjë garë brenda partisë.

Pra ka dyshime të arsyeshme se personazhet e dyshuara të botës së krimit do i kemi sërish në krye të punëve në bashki të caktuara, por kësaj radhe jo në vetë të parë, por nëpërmjet rrethit të ngushtë.

Për më tepër disa nga bandat më me influencë, edhe politike, në bashkitë e mëdha të Shqipërisë janë në proceset e përfundimit të gjykimit dhe vendim – marrja e trupave gjykuese, për koinçindencë ose jo, bie në kalë të zgjedhjeve lokale, duke shtuar një faktor tjetër influencues, me shumë gjasa për më keq.

Reforma në drejtësi ka rralluar shkallët e gjyqësorit dhe mund të jetë faktor i shtuar influencues në vendim – marrjet e kolegjit zgjedhor. Vetë reforma në drejtësi është një proces i paragjykuar nga një pjesë e madhe e popullsisë që vetë – identifikohet me opozitën politike.

II.
Pra, duke qenë se ka elemente të mjaftueshme që paragjykojnë (1) koezionin komunitar lokal, (2) paqen sociale, (3) autoniminë lokale, (4) influencën e botës së krimit mbi administrimin e territorit, si dhe (5) aftësinë e sistemit të drejtësisë për të mbajtur balancën në raste shkeljesh dhe konflikti elektoral, rrjeti i profesionistëve dhe aktivistëve të #ZëriIntegrimit rekomandon marrjen e këtyre masave:

Tërheqjen e çdo kandidature për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit nga partitë parlamentare, si provë fillestare e angazhimit për paqen brenda komuniteteve të bashkive.

Zhvillimin e një procesi transparent për zgjedhjen e kandidatëve brenda partive dhe koalicioneve, me zgjedhje të brendshme “një anëtar një votë” dhe jo me emërim nga kryetarët, si provë fillestare e respektimit të autonomisë lokale.

Angazhim nga kandidatët se nuk do të pranojnë fitoren nëse nuk marrin më shumë se 50% + 1 të votave të komunitetit të tyre, si provë e vullnetit për të qenë përfaqësues të komunitetit dhe jo të partisë.

Krijimin e një task force speciale, me mandat dy vjeçar, të përbërë nga elemente nga Prokuroria, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia e Shtetit, të përzgjedhur dhe drejtuar nga Institucioni i Presidentit të Republikës, që do të hetojë, parandalojë dhe ndëshkojë influencën e botës së krimit në këto zgjedhje lokale.

Ngritje e një komisioni të përbashkët të përbërë nga përfaqësues të koalicioneve të partive politike, që duhet të mundësojë një marrëveshje politike për llojet dhe përmasat e shkeljeve për t’u çuar në ankimim sipas shkallëve, me qëllim lehtësimin e procesit, si dhe mekanizmin e monitorimit të vendimeve të kolegjit zgjedhor.

III.
Bazuar në këto rekomandime, rrjeti i profesionistëve dhe aktivistëve të #ZëriIntegrimit gjykon se mund të kalohet ngërçi shoqëror dhe politik që është krijuar dhe si masë të parë për këtë i bëjmë thirrje Presidentit që të vlerësojë thirrjen e koalicioneve dhe partive përfaqësuese në një tryezë dialogu, si dhe mundësinë e fillimit të procedurave për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në një datë të përshtatshme, në mendimin tonë jo më shpejt se Tetori 2019.

Shënim: Kjo është një nismë vullnetare dhe jopartiake, e pa financuar nga asnjë palë e tretë.

Exit mobile version