Thirrje kundër qeverisë në shfaqjen e Teatrit në Elbasan

Pasditen e së hënës në Teatrin “Skampa” në Elbasan u dha shfaqja kushtuar pasojave të diktaturës me titull “Ata hynë pa trokitur”, nën drejtimin e Armand Borës dhe aktorëve protagonistë Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani. Aktiviteti mbështetej nga prezenca e OSBE në Elbasan.
Por shfaqja ka përfunduar me reagim proteste të disa personave në sallë. Sipas infoelbasani.al në fund të aktivitetit disa persona kanë vlerësuar mesazhin e përcjellë nga shfaqja, por janë shprehur mjaft të revoltuar me situatën e tanishme.
Sipas tyre, mesazhi është kuptimplotë, por ai nuk ka vlerë, sepse në Shqipëri është instaluar klika komuniste, e cila po e shtyp dhe po e rrjep popullin dhe të ish-persekutuarit po vazhdojnë të persekutohen.
“E gjitha kjo është një hipokrizi. Ata janë në pushtet dhe po na degjenerojnë çdo ditë”, u shpreh një spektator. Është dashur ndërhyrja e aktorit Alfred Trebicka, i cili ju drejtua spektatorëve të revoltuar se kjo ishte një shfaqje dhe se nuk duhet të ngatërrohet me politikën.
Ambasadori i OSBE Rauning, që ishte pjesëmarrës në këtë takim deklaroi se, “pikërisht ky ishte qëllim i kësaj shfaqje që njerëzit të fillojnë të diskutojnë për të kaluarën madje dhe të kundërshtojnë”.

Exit mobile version