Thjesht një aksident

“E kisha paralajmëruar që përpara Juventusit se kjo do të kishte qenë një ndeshje më e vështirë sesa kundër kampionëve. Në fund të takimit e analizuam ndeshjen, edhe nën prezencën e Galianit, i cili si gjithmonë nuk mungoi as këtë herë në dhomat e zhveshjes”. Vinçenco Montela nuk është aspak i lumtur pas disfatës me Xhenoan, por trajneri i Milanit nuk kërkon të dramatizojë humbjen, ndonëse pengje mbeten shumë, pas suksesit kundër kampionëve të Italisë.
“Edhe pse nuk i dhamë ritmin që duhej ndeshjes që në pjesën e parë, në këtë 45 minutësh nuk mbaj mend ndonjë goditje në portë të Xhenoas, ndonëse ata na dërguan në disavantazh në rastin e parë që iu dha. Në pjesën e dytë skuadra më pëlqeu më shumë. Duke analizuar atë që bëmë në fushë, humbja ishte një dënim i rëndë për ne, por kartoni i kuq ndryshoi gjithçka. Edhe me 10 lojtarë i shkuam pranë barazimit.
Skuadra ishte mjaft e karikuar, jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht, por goli i dytë që pësuam në kundërsulm i dha fund ndeshjes, vazhdon Montela, i cili në lidhje me rotacionin e bërë nënvizon: Zgjedhjet e mia janë gjithmonë shumë të logjikuara dhe të analizuara me detaje. Normalisht që nuk mund ta dimë sesi do të përfundojë ndeshja në varësi të formacionit, por fakt është që të gjithë mund të bënim diçka më shumë.
Nga Suso prisja diçka më shumë, duke parë se Xhenoa ra shumë fizikisht me kalimin e minutave. Rast i humbur për titullin? Këto janë premisa që i ngrini ju të media. Ne jemi tepër të qetë dhe kemi objektivat tanë. Kjo disfatë ishte thjesht një aksident i rrugës.
Shpeshherë, humbjet të ndihmojë që të rritesh, të përmirësohesh, prandaj futbollistët e mi duhet thjesht të jenë krenarë për atë çfarë kanë arritur deri tani. Nuk ka dyshime se mund të bëjmë shumë më shumë, por Milani është ai që keni parë në këto 10 ndeshje të para dhe mendoj se po ecim në koherencë me çfarë kishim parashikuar”.
Tifozët e Milanit janë kthyer shumë shpejt me këmbë në tokë, pasi fitorja e shkëlqyer 1-0 përballë Juventusit është pasuar sot me një humbje zhgënjyese 3-0 në fushën e Xhenoas, ku skuadra e Montelës ka dhuruar një paraqitje tejet të dobët. Mbështetësit e “Djallit” prisnin hapin e radhës dhe një fitore që mund t’u jepte kreun e klasifikimit, por transferta e sotme ka treguar se ky ekip ka ende rrugë për të bërë para se të ketë pretendime të tilla.
Ndoshta ndeshja u ndikua nga goli i shpejtë i Ninkoviç për vendasit, i shënuar që në minutën e 11-të, por Milani dukej mjaft i paqartë në të gjitha veprimet e tij, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese. Kartoni i kuq i Paletas, pas një ndërhyrjeje të gabuar në fillimin e pjesës së dytë i bëri gjithçka më të thjeshtë Xhenoas, që fillimisht dyfishoi shifrat falë autogolit të Kuçka në minutën e 80’. Më pas, ekipi vendas çoi në tre numrin e golave me Pavoletin, i cili kaloi me lehtësi Romanjolin dhe mposhti Donarumën, duke vulosur rezultatin e ndeshjes që hapi javën e 10 të Serisë A.

Artikulli paraprakLeverkusen eliminohet nga Kupa e Gjermanisë
Artikulli tjetërDe Biasi: Po kërkojmë talente në Europë