Ish-sportistja e njohur dhe një figurë e respektuar në komunitetin shkodran, Valbona Quku-Lisha, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e saj për deputete në Qarkun e Shkodrës me Koalicionin Euroatlantik.
Në një mesazh të ndarë me ndjekësit e saj, Quku Lisha shprehet e nderuar për mundësinë që i është dhënë për të qenë pjesë e kësaj alternative të re politike, duke theksuar angazhimin për një sistem zgjedhor demokratik, të drejtë dhe transparent, ku çdo votë ka vlerë dhe qytetarët kanë fuqinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre të zhgënjyer nga politika e vjetër, që të bashkohen në këtë përpjekje për ndryshim dhe një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.
“Na jena imazhi i krijuem në sytë e fëmijëve tanë. Thuaji po vlerave! Shqipëria meriton ma shumë!” – përfundon mesazhin e saj kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për Shkodrën.
Postimi i Valbona Quku-Lisha:
Të dashtun bashkëatdhetarë, miq e dashamirës, ndihem e nderueme që më jepet mundësia me përfaqësue Koalicionin Euroatlantik në Qarkun Shkodër.
Me një sistem zgjedhor demokratik, me drejtësi dhe transparencë, ku çdo votë vlen, me një frymë përbashkuese ku punohet me përkushtim për me ofrue alternativën ma të mirë dhe zgjidhjet ma të besueshme, me vizion në të ardhmen duke ndërtue një themel të qëndrueshëm për brezat që do vijnë, Koalicioni Euroatlantik asht për mue zgjedhja e duhun.
Duke urue që krejt ata të zhgënjyemit e politikës së vjetër, që nuk arriti me u shkundë nga trupi prangat e trashëgueme të diktaturës, të na bashkohen në këtë luftë të vështirë për ndryshim.
Na jena imazhi i krijuem në sytë e fëmijëve tanë. Thuaji po vlerave!
Shqipëria meriton ma shumë!!