U luajtën gjatë mesditës së djeshme 5 nga ndeshjet e javës së 14 të Bundesligës gjermane. Bajerni i Mynihut nuk tregoi aspak mëshirë ndaj Volfsburgut teksa fitoi në shtëpi me rezultatin e thellë 5-0. Golat për bavarezët u shënuan nga Roben, Myler, Kosta dhe Lewandowski, i cili realizoi dopietë.
Ndërkohë Lajpcigu pësoi humbjen e parë për këtë sezon në kampionatin gjerman teksa u mposht në transfertë me rezultatin 1-0 nga Ingolshtadi, ku aktivizohet dhe mbrojtësi i talentuar me origjinë nga Kosova, Florent Hadërgjonaj.
Këlni i Mërgim Mavrajt barazoi në shtëpi 1-1 ndaj Borusias së Dortmundit. Ekipi ku aktivizohet mbrojtësi i kombëtares shqiptare kaloi në avantazh në minutën e 28 me anë të Rudnevs, por miqtë arritën të barazonin shifrat në minutën e 90 me anë të Rojsit. Mavraj u aktivizua për 90 minuta të plota.
Frajburgu i Abrashit fitoi në shtëpi me rezultatin 1-0 ndaj Darmshtadit. Mesfushori kuqezi, i rikthyer tashmë nga dëmtimi, e ndoqi të gjithë ndeshjen nga stoli i rezervave. Në ndeshjen tjetër, Hamburgu mposhti në shtëpi 1-0 Augsburgun.
Pas këtyre takimeve, Bajerni rimerr vendin e parë në renditje me 33 pikë, po aq sa Lajpcigu i vendit të dytë, por me golavarazh më të mirë. Dortmundi mbetet në vendin e 6 me 25 pikë, ndërkohë Këlni i Mavrajt e ndjek në vendin e 7 me 23 pikë. Frajburgu i Abrashit renditet i 8-i me 19 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë, Eintracht dhe Hoffenheim ndanë nga një pikë mes tyre pas një barazimi pa gola në Frankfurt, me dy skuadrat që vazhdojnë të qëndrojnë në zonën europiane. Skuadra vendase meritonte ta fitonte sfidën, duke qenë se krijoi më shumë sesa miqtë, por Alexander Meier në tre raste nuk arriti të mposhtë portierin kundërshtar.
Në fund Frankfurt e mbylli ndeshjen me 10 vetë pas daljes me të kuq të Chandler në minutën e 82-të. Pas këtij barazimi, asgjë nuk ndryshon në renditje. Me Frankfurt dhe Hoffenheim që me 26 pikë në klasifikim ruajnë vendin e 4-rt dhe 5-të, duke qenë për momentin në zonën e Europa League.