E pabesueshme, 3 pikë të shtrenjta në startin e eliminatoreve të Botërorit 2018 për Shqipërinë që sfidoi mallkimin e motit të keq, duke bërë një mrekulli në 15 minutëshin e ditës së dytë të “Loro Boriçit”. Djali i shtëpisë, Bekim Balaj shpërndau retë në qiellin shqiptar me një gol në frymën e fundit, më saktësisht në minutën e 89, duke veshur petkun e heroit të Shqipërisë në sfidën e luajtur për dy ditë. Një ndeshje e çuditshme, por me fundin e lumtur, pasi Shqipëria triumfoi 2-1 mes drithërimave dhe mbështetjes së atyre që sfiduan shiun edhe të martën në orën 14:00 për të mbështetur idhujt e tyre.
Bekimi është njeriu që bekon rrugëtimin e Shqipërisë në këto eliminatore, ashtu si 2 vjet më parë në Portugali kur u dhuroi shqiptarëve atë fitore historike në tokën luzitane. Gjithçka nisi në kronometrin e ndalur 75 minuta e 45 sekonda. Ishin maqedonasit ata që dukej se kishin planifikuar deri në detaj strategjinë, duke nervozuar herë pas herë lojtarët e Shqipërisë. Vonesa të panevojshme nga ana e skuadrës fqinje dhe shumë gabime në mesfushë për të besuarit e De Biasit. Shqipëria dukej pa busull dhe e pafuqishme për të shkelur gazin në maksimum, pasi kronometri ishte i pamëshirshëm. Minutat rrodhën si pa e kuptuar deri në të 88-ën kur Agolli nga e majta e sulmit fitoi një gditje dënimi. Memushaj mori përsipër ekzekutimin dhe me një trajektore perfekte gjeti kokën e sulmuesit shkodran që ndezi festën në “Loro Boriçi”.
Që Shqipëria nuk ishte në ditën më të mirë u vu re vetëm pak sekonda më pas, kur maqedonasit depërtuan në zonën kuqezi, por Berisha bëri mrekullinë, duke mos lejuar që kjo ndeshje të kthehej në një tragjedi. Një ndeshje e çmendur me sulme nga të dyja krahët, sepse Maqedonia e hedhur e gjitha në sulm, la hapësira të mëdha në prapavijë. Sadiku kishte në këmbët e tij topin e golit të dytë, por e djathta e bomberit shqiptar përfundoi pak centimatra larg shtyllës së Zahov.
Emocione të papërshkrueshme deri në vërshëllimën e fundit, sepse kjo Shqipëri nuk dorëzohet kurrë. Djemtë e futbollit kuqezi sfiduan fatin, motin e keq dhe kronometrimin e pamëshirshëm të 15 minutave të mbetura, duke u dhuruar shqiptarëve një sukses historik. Shqipëria thyen mallkimin Maqedoni dhe siguron të parën fitore zyrtare ndaj Kombëtares fqinje, duke marrë 3 pikëshin e parë në Grupin G, po aq sa Italia dhe Spanja.
Fitorja e Shqipërisë përballë Maqedonisë ka gjetur pasqyrim të gjerë dje edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat e kanë vënë theksin te fakti që ndeshja u luajt në dy ditë pas ndërprerjes së mbrëmshme për shkak të shtrëngatës.
Agjencia kombëtare maqedonase e lajmeve, MIA, e pasqyron lajmin në edicionin anglisht me këtë titull: “Maqedonia pëson gol në fund, mundet nga Shqipëria në kualifikueset e Botërorit”.
Ndërkaq, mediat sportive italiane dhe ato spanjolle i kanë kushtuar rëndësi kësaj përballjeje edhe për faktin që dy ekipet janë pjesë e Grupit G, së bashku me Italinë dhe Spanjën.