“Thyhet” muri i Dortmundit

Nuk ka mur që e ndal Realin e Madridit në Champions. Me një dygolësh të Cristiano Ronaldos dhe finalizimin e Gareth Bale, që zhbllokoi sfidën, Los Blancos e pushtuan 1-3 “Signal Iduna Park”, në sfidën më të rëndësishme të raundit të dytë në Grupin H të Championsit.
Bale i shërbyer nga Carvajal, goditi fluturimthi në të 18-ën, me topin që u ndal në rrjetë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë uellsiani asistoi Ronaldon për golin e 2-0. Aubamyenag ngjalli shpresat për një rezultat pozitiv vetëm 3 minuta më pas, por Ronaldo në të 80-ën u dha goditjen përfundimtare verdhezinjve.
Pas ndeshjes, Zinedine Zidane e ka lavdëruar Balen, i cili nuk ka kaluar momente të mira në ndeshjet e fundit. “Gareth tani është në formë shumë të mirë. Ai nuk e ka pasur të lehtë dhe unë jam i kënaqur për të. Të shënosh një gol të bukur është fantastik për të”, ka theksuar Zidane. Trajneri francez ka thënë se nëse Bale-t i jepet hapësirë, nga kundërshtari në fushë, është vdekjeprurës.
Në takimin tjetër të Grupit H, Tottenhami iu fal këmbëve të Harry Kane që realizoi tre golat e sfidës. Në fund të pjesës së parë sulmuesi i kombëtares angleze në pozicion të rregullt, shënoi golin e parë, ndërsa në të 63-ën i çoi shifrat në 2-0.
Vetëm pak minuta më pas gjeti rrjetën me një goditje me kokë thuajse nga pika e bardhë e penalltisë.
Tjetër barazim i Livepulit në Grupin E, këtë radhë 1-1 në transfertë me Spartakun e Moskës. Fernando i dha avantazhin e përkohshëm skuadrës ruse, pasi në të 31-tën barazoi Coutinho. Në takimin tjetër të këtij grupi Sevilla shkatërroi 3-0 Mariborin e Valon Ahmedit, që u aktivizua titullar. Ben Yeder ishte heroi i andaluzianëve me një tregolësh, dy prej të cilëve i realizoi në pjesën e parë, për të mbyllur llogaritë me sllovenët me 11-metërsh 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Në Grupin F, Manchester City arriti të fitonte 2-0 ndaj Shakhtar Donetsk. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërkohë fraksioni i dytë i gjeti vendasit në avantazh të dy golave. I pari u realizua në minutën e 48, falë Kevin de Bryne, ndërsa në minutën e 90, Raheem Sterling solli dhe golin e sigurisë. Falë këtij rezultati Citizens pozicionohet në vendin e parë me 6 pikë.
Ndërkohë po tek ky grup, Napoli kaloi pa probleme Feynoord, me këta të fundit që u mposhtën me rezultatin 3-1. Napoli gjeti shpejt rrugën e rrjetës, pasi në minutën e 7 Lorenzo Insigne i jep epërsinë skuadrës së tij. Fillimi i pjesës së dytë sheh sërish vendasit në festë, këtë herë autor i golit ishte Dries Mertens, ndërkohë në të 70 Jose Callejon, trefishon rezultatin. Goli i vetëm për Feynoord u realizua nga Sofyan Amrabat.
Lorenzo Insigne pas shënimit të golit u afrua pranë stolit dhe kërkoi një bluzë të Milik, për t’ia dedikuar pikërisht polakut golin, por ndodhi e papritura. Në stolin napolitan ngatërrohen dhe i japin një bluzë të mesfushorit Zeilinski, të cilën pasi Insigne e vë re, e hedh i nervozuar nga stoli dhe kërkon bluzën e duhur. Më në fund, sulmuesit anësor të Napolit i vjen në dorë bluza e Milik me numrin 99. Kjo skenë shkakton shumë të qeshura në radhët e tifozëve dhe futbollistëve. Milik u dëmtua të shtunën dhe iu nënshtrua një operacioni që do ta mbajë jashtë fushave përreth katër muaj.
Në Grupin G, Besiktas mposhti 2-0 gjermanët e Leipzig. Një fitore e siguruar që në pjesën e parë, me autorë Ryan Babel në minutën e 11 dhe në të 43 Anderson Talisca. Në përballjen tjetër të këtij grupi, Monaco pësoi një disfatë të thellë përballë Portos. Ekipi nga principata u mposht me rezultatin 3-0. Dygolëshi i Vincent Aboubakar dhe rrjeta e Miguel Layun i dhanë Portos 3 pikët e para në fazën e grupeve të Champions League.

Exit mobile version