Trajneri i Juventusit, Tiago Mota, ka konfirmuar pas miqësores së luajtur ndaj Brest se nga radhët e bardhezinjve do të kishte largime të shumta, ndaj nuk ishin ftuar për ndeshjen shumë emra të njohur të skuadrës. Kieza, Sheznji, MekKeni, De Shiljo, Artur, Kostiç, Nikolusi-Kavilja dhe Rugani nuk udhëtuan për këtë sfidë me trajnerin i cili bëri të qartë se ishin në shitje.
“Kush qëndroi në Torino përfaqëson një situatë merkatoje. Të gjithë, me përjashtim të Miretit i cili është i dëmtuar. Në kemi qenë të qartë. Kemi folur me secilin prej tyre.
Ka lojtarë të fortë që janë të mësuar të luajnë me vazhdimësi dhe klubi po mundohet që të gjejë zgjidhje për ta. Duhet ta bëjnë në kohën më të shkurtër të mundshme për të mirën e tyre, të skuadrës, të të gjithëve. Si për Kiezën, ashtu edhe për të tjerët, është një vendim që kemi marrë dhe jemi të bindur për të.
Tani duhet të përgatitim mirë sezonin me ndeshjet dhe stërvitjet që kemi bërë. Nuk ka asgjë tjetër për të shtuar”, tha Tiago Mota rreth përjashtimeve të shumta nga radhët e skuadrës së tij.