Tifozët kuqezi nuk do të rikthehen në stadium. Pavarësisht letrës së hapur nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, zemra e tifozerisë shqiptare kërkon respekt dhe heqjen e masave drastike nga ana e policisë në dëm të tyre. Disa prej drejtuesve të tifogrupit të Kombëtares Shqiptare, bëjnë të qarta pikat ku nuk bien dakort me sjelljen e forcave të rendit. Gerti Peshkopia dhe Gentian Xhengo sqarojnë shkaqet e vendimit drastik të marrë nga “Tifozët kuqezi”.
“Janë marrë masa drastike ndaj nesh. U ushtrua presion shumë i madh. Këto masa nuk janë regjistruar vetëm në ndeshjen e fundit, por po përsëriten në vazhdimësi”, tha Gerti Peshkopia.
“Gjithçka nisi që në ndeshjen me Portugalinë dhe vazhdoi me Serbinë e me radhë. Heqja e simboleve, por edhe ndalimi i bluzave dhe banderolave janë disa nga shkaqet pse e kemi marrë këtë vendim”, tha Gentian Xhengo.
Për Sajmir Çollakun, “Tifozët kuqezi” meritojnë trajtim ndryshe, ashtu siç ndodh në stadiumet jashtë vendit ku ata kanë qenë të pranishëm përherë. “Ne nuk jemi terroristë. Kërkojmë të mbështesim Kombëtaren dhe duam një trajtim sa më normal, ashtu siç ndodh në çdo stadium jashtë”, u shpreh Çollaku.
Për “Tifozët kuqezi”, shkaktari kryesor i kësaj situate është policia dhe bojkoti do të prishet vetëmm nëse forcat e rendit nuk do të veprojnë me dorë të hekurt ndaj tyre.
“Federata ka punën e saj. Ne nuk merremi me federatën. Gjithçka që kërkojmë është që të mos ketë policë në tribuna. Vendimi për largimin nga stadiumi i takon kryesisë, por jam i sigurt se do të jetë në fuqi për Lihtenshtejnin dhe të gjitha ndeshjet miqësore që Shqipëria do të luajë në vendin tonë”, tha Peshkopia.
Në fund, përfaqësuesi i tifogrupit “Tifozët kuqezi” ka një mesazh të qartë, ku kërkon që të gjitha simbolet e lejuara nga UEFA, të mos pengohen nga policia.
Nëse “Tifozët kuqezi” nuk do të bëjnë një hap pas në qëndrimin e tyre, atëherë ata nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e fundit eliminatore të shtëpisë kundër Lihtenshtejnit, por edhe në miqësoret që do të zhvillohen deri në fund të vitit tjetër.