Nga Rigels Seliman
Sikur të mos na mjaftonte lodhja nga tre mandate qeverisje, tani kandidatet e reja të Edi Ramës kanë dalë të na bindin se paskemi katër! Njëra, që mezi dallon se ku mbaron politika dhe ku fillon TikToku, na thërret me patos: “Hapni sytë vëllezër e motra, se po zbritëm Hënën në tokë do kërkojmë edhe Diellin!” E kuptuat pra? Ata kanë zbritur Hënën, dhe në vend që të kërkojnë llogari, këta kërkojnë edhe Diellin.
Ndërkohë, një tjetër në Fier, një farë Zegjine, më shumë ngjan me një influencuese që bën sfida ‘trend’ sesa me një përfaqësuese të halleve të qytetarëve.
Në vend të zërit të popullit në Parlament, këto pritet të çojnë tutoriale make-up-i dhe ‘prank videos’ nga Kuvendi.
Në këtë shfaqje politike, qytetari shqiptar s’di nëse duhet të qeshë apo të qajë.
Në vend të ideve dhe projekteve, na serviren batuta për planetë dhe emisione imagjinare në hapësirë.
Kandidatet e reja të PS-së duket sikur kanë dalë nga një kurs intensiv “si të flasim shumë, pa thënë asgjë”.
Turp që politika shqiptare është kthyer në një ‘casting show’, ku më shumë rëndësi ka sa ‘viral’ bëhesh sesa sa ide mbështet.
E ndërkohë që kjo estradë qesharake vazhdon, opozita është thjesht një zbukurim folklorik, i ngujuar në një muze politik të quajtur “Berisha”.
Pra, shqiptarëve u duhet të zgjedhin: ose të qeshin me kandidatët-influencerë, ose të qajnë me opozitën që s’po ngrihet dot nga shtrati i vjetër.
Në këtë fushatë, vetëm hëna nuk ka dalë në fletën e votimit.
Vaj halli për votuesin që duhet të zgjedhë mes një politike që tallet me mendjen dhe një opozite që tallet me vetveten.
Kështu që hapni sytë vëllezër e motra: jo për të zbritur Hënën në tokë, por për të mos rënë më poshtë se toka vetë!