Tirana, 104-vjet kryeqytet i Shqipërisë!

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, më 11 shkurt 1920 u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht, si kryeqytetin e vendit. Kjo është data historike e ardhjes së qeverisë shqiptare në Tiranë, me në krye Sulejman bej Delvinën.
Në godinën në fillim të Rrugës së Elbasanit, u vendos qeveria shqiptare.

“Në këtë ditë, përkujtojmë momentin historik kur Tirana u zgjodh si zemra e Shqipërisë. Një qytet ku tradita dhe modernia valëzojnë në harmoni, ku çdo rrugë tregon një histori dhe çdo cep mban premtimin e zbulimit. Vlerësim për këdo që ruajti vlerat e pashoqe të këtij qyteti. Tirona dëshmi e një historie të mrekullueshme” – shkroi deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Si datë e themelimit të Tiranës si qytet, në zemër të Shqipërisë, merret viti 1614, kur me kujdesin e Sulejman pashë Bargjinit u ngrit bërthama e parë e qytetit me një xhami.

Në vitin 1789 nisi të ndërtohej xhamia e Et’hem Beut, në vitin 1830 u ngrit Kulla e Sahatit, në gjysmën e parë të shekullit XIX-të mbi lumin e Lanës u ndërtuan dy ura, ajo e Tabakëve dhe ura e Terzijve. Çezmat në Tiranë, megjithëse të pakta, konsideroheshin si diçka e shenjtë. Mund të përmendim këtu kroin e Banes, çezmën e Kroit të Shëngjinit etj.

Por, si do të ndryshonte pas vitit 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet me vendimin e Kongresit të Lushnjës dhe si u kthye në qendër të jetës politike-shoqërore?

Në 1922, me urdhrin e ministrit të Punëve të Brendshme u zhdukën varrezat që gjendeshin pranë çdo xhamie e pengonin jo vetëm rregullimin e tregut, por dhe atë të qytetit. Në këtë vit u hap dhe rruga e re e Durrësit, që u pagëzua me emrin “Nana Mbretneshë”, që prishi shumë shtëpi dhe kopshte, mbasi ajo e vjetra që shkonte nga hotel “Durrësi”, nuk lejonte të shihej nga larg qendra e qytetit, – thuhet në dokumentet e kohës.

Sipas të dhënave, në fund të kësaj rruge që bashkonte Tiranën dhe Durrësin, në vitin 1930, italianët filluan punimet për ndërtimin e Hangarit madhështor (kështu u quajt aeroporti i Rinasit).
Sipas të dhënave, ai i përkiste shoqërisë italiane “Ala Littoria”, ndërtim krejt me skelet hekuri dhe i mbuluar nga llamarinat e hekurta, që mbulonte një sipërfaqe prej 5000 metra katrorësh dhe kishte një lartësi rreth 35 metra.
Në të njëjtin vit, – sipas buletinit të Bashkisë, – u zgjerua dhe rruga “28 Nëntori”, u prishën një varg dyqanesh të bukura dhe u formua e njëjta rrugë që vazhdon të jetë dhe sot.

Për herë të parë është hartuar një plan rregullues nga inxhinier Eshref Frashëri dhe qyteti vazhdoi të ndërtohej sipas një plani të studiuar.
Me shpalljen e Tiranës kryeqytet, pjesa më e madhe e nëpunësve filluan ndërtimin e shtëpive të reja, ndërsa bashkia do të vazhdonte projektet për hapjen e rrugëve të reja dhe rregullimin e atyre ekzistuese.
Në 1926-1927, sipas dokumenteve që sot ndodhen në Arkivën e Shtetit, u hap për herë të parë rruga “Mbretnore” (rruga e Barrikadave) që brenda një kohe tepër të shkurtër, do të bëhej një nga rrugët kryesore.

Pak më vonë, në vitin 1928-1929 u zgjerua dhe u sistemua bulevardi “Mussolini” (sot rruga e Kavajës), një nga arteriet më kryesore të kryeqytetit, i cili u asfaltua në vitet ’34-’37.
Në fillimin e këtij bulevardi u ndërtua Pallati Qendror i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, i cili zinte një sipërfaqe prej 1500 metra katrorë dhe kishte kushtuar 600.000 franga ari. Sipas dokumenteve, në 1930 u ndërtua dhe ajo që do të quhej rruga më e bukur dhe më e rëndësishme e Tiranës bulevardi “Zogu i Parë”, që fillonte nga Kodra e Pashës deri në Brrakë. Të gjitha arteriet në pjesën më të madhe të tyre, ishin të shtruara me pllaka asfalti në mënyrën më moderne dhe ishin zbukuruar me drunj ekzotike. Gjithashtu u ndërtuan me mijëra shtëpi, të cilat i dhanë kryeqytetit të ri pamje shumë të mirë.

Në qendër të Bulevardit Zogu i Parë, në bazë të planit të projekteve të arkitektit italian, Florestano De Fausto, u ndërtuan gjashtë pallatet e ministrive në vitin 1931 dhe pallati i Bashkisë në 1929-1931, u sistemua sheshi Skënderbej në një park modern në 1936-1937, i cili do të shtrihej deri në lagjen e Tiranës së re, tek blloku i Shallvareve.
Sipas dokumenteve të shkruara të kohës, i gjithë qyteti kishte 7654 shtëpi dhe banohej prej 24.407 banorësh definitivë dhe 11. 693 banorëve provizorë. I gjithë qyteti përfshinte një sipërfaqe prej 8 kilometrash, kurse në 1912 ai ishte vetëm 3 kilometra katrorë. Në të njëjtën kohë janë ndërtuar dhe asfaltuar dhe shumë rrugë të tjera të kryeqytetit, të cilat vazhdojnë të kenë të njëjtën pamje dhe përmasa që kanë pasur që në vitin ’37.

Artikulli paraprak“Nga uria e madhe në Tepelenë, Mukadesi hante mbeturinat e kampit, por s’mundi të mbijetonte”- Dëshmia tronditëse e 85-vjeçares nga Kavaja: Kurse motra tjetër e vëllai, po ashtu vdiqën…
Artikulli tjetër“Vuçiçit nuk i duhet shumë për ta destabilizuar Ballkanin!”- Serwer: Uashingtoni dhe Brukseli ta ndalojnë, ai financoi sulmin terrorist të 24 shtatorit