Tirana dhe Durrësi pa ujë, qeveria 3 miliard lekë për ujësjellës të ri për vilat e zyrtarëve në Lalëz

Me të drejtë, qeveria ka nisur të ashtuquajturën “reforma e ujit”, e cila do të mundësojë furnizimin me ujë të popullatës. Deri më tani, problematikat më të mëdha i ka Tirana dhe Durrësi, ku banorët kanë ankesa të vazhdueshme. Në këto qytete uji i pijshëm shkon vetëm dhjetëra minuta, duke mos përmbushur kushtet bazike të një familje. Në pallatet e këtyre qyteteve janë vendosur në tarraca mijëra depozita, ndërsa Bashkia e Tiranës tha para pak ditësh se do të ndërmarrë një nismë për të hequr këto depozita, pasi janë burim infeksioni. Në një vend që furnizohet të paktën me 12 orë në ditë me ujë të pijshëm, vendosja e depozitave mund të cilësohej si “e keqe” që mund të përhapte epidemi, por banorët janë detyruar të vendosin këto depozita, pasi në ato pak minuta që iu vjen ujë, të paktën të mbushet depozita.
Reforma e nisur është pritur mirë nga qytetarët, të cilët filluan të kenë një fije shprese. Kur kanë kaluar vetëm pak javë nga kjo nismë, kanë filluar të dalin edhe projektet e para “në shesh”. Për habinë e të gjithëve, qeveria ka akorduar plot 3 miliard lekë të vjetra për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Gjirin e Lalzit, atje ku vetë qeveritarët kanë vilat e tyre të pushimit. Zona në fjalë njihet për popullimin e ulët dhe vitet e fundit, kompani të fuqishme kanë ndërtuar disa fshatra turistikë, ku banorët e parë janë pikërisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit. Duket se nisma e qeverisë është furnizimi me ujë të pijshëm të këtyre vilave, duke lënë në harresë qytete të mëdha.  Bold News ka siguruar dosjen e këtij tenderi të majmë, i cili duket se do ti shërbejë vetëm një grushti njerëzish, dhe jo popullatës në masë,  e cila vazhdon të jetë e përndjekur nga qeveritë që votojnë. Disa ditë më parë, në Agjencinë e Prokurimit Publik, Drejtoria e Përgjithshme Ujësjellës Kanalizime, hapi procedurën me prokurim elektronik.
“Objekti i prokurimit është ndërtim i rrjetit të ujësjellësit të Gjirit Lalzit Durrës. Fondi limit është 310 078 482 lekë lek pa TVSh. Burimi i financimit është buxheti i shtetit dhe afati për mbarimin e punimeve ose për dorëzimin e mallit/kryerjen e shërbimit është 12 mujor” thuhet në dokumentet e tenderit.
Bold News ka siguruar edhe specifikimet teknike të këtij tenderi.  Sipas dokumentit, njësia administrative Ishëm është pjesë e Bashkisë Durrës dhe ndodhet në veri të territorit të tij ku ndahet qartë (si territor) nga lumi Ishëm në veri dhe nga Përroi i Tarinit në jug. Ka një sipërfaqe totale prej 8,000 ha duke u kufizuar në juglindje me komunën e Prezës, në perëndim me detin Adriatik dhe në lindje me komunën Thumanë të rrethit të Krujës. Njësia administrative Ishëm përbëhet nga 10 fshatra: Kuraten (Shkafanë), Lalës, Likmetaj,  Kërtushaj, Kapedanaj, Gjiricaj, Rrotull, Draç e Fushë-Draç, Shetaj dhe Bizë. Punimet e ndërtimit konsistojnë në zgjerimit e kapacitetit ujëmbajtës të rezervuarëve, ndërtim i një depo të re beton/arme me kapacitet 1,500 m3 dhe ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë në zonën e Gjirit të Lalëzit. Në dokument thuhet se do të ndërtohet linja kryesore e furnizimit me ujë si dhe i linjës kryesore shpërndarëse që del nga depo e re dhe shtrihet në drejtim të zonës turistike.

/Boldnews/

Artikulli paraprakTë ardhurat buxhetore shënuan rënie me 4% në mars, ja arsyet
Artikulli tjetërPSG, 300 milionë për Neymar-Cristiano