Investimet kapitale të vitit 2016 deri në tetor u shpërndanë gati në 900 projekte, me një vlerë prej 38 miliardë lekësh.
Grosistët më të mëdhenj të investimeve ishin Ministria e Energjetikës dhe Ministria e Bujqësisë, me nga 1.3 miliardë lekë secila, të cilat shkuan për mbulimin e kostove lokale për ndërtimin të rrugës përgjatë lumit Devoll nga koncesionari “Statkraft” dhe si kosto lokale për fondin e garancisë që donatorët kanë dhënë në mbështetje të sektorit të bujqësisë.
Projekti i tretë më i madh ishte programi i infrastrukturës komunale në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, që u administruan nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellësit.
Fondet më të mëdha të investimeve qeveritare kanë shkuar për Tiranën që akomodon një të tretën e popullsisë së vendit.
Investimet nga fondet buxhetore vetëm për kryeqytetin kapin shifrën e 3.8 miliardë lekëve ose 10% të totalit të shpenzimeve që u kryen për periudhën. Projektet e mëdha për të cilat Tirana mori financimin ishin ndërtimi i Unazës së Re me 1.2 miliardë lekë, projekti i kanalizimeve të Tiranës me rreth 1.1 miliardë lekë, ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë-Elbasan në pjesën e Tiranës është financuar me 927 milionë lekë këtë vit.
Ndërsa një pjesë tjetër prej 1.5 miliardë lekësh ka shkuar për investime në qendrat sociale të kryeqytetit si në universitete, spitale dhe për planin urbanistik.
Siç shihet nga të dhënat e Ministrisë së Financave, qeveria ka ndjekur një politikë copëzimi të investimeve, duke dhënë pak fonde për shumë zëra. Më së shumti, shihet se fondi i shpenzimeve kapitale ka shkuar për mbulimin e kostove lokale për projektet e mëdha të investimeve si HEC-et mbi lumin Devoll dhe fondet IPA për bujqësinë.
Nga projektet e mëdha të infrastrukturës, ndërtimi i linjës së interkonjeksionit, Shqipëri-Kosovë u financua me 920 milionë lekë, e cila edhe pse ka përfunduar nuk është vënë në punë. Gjithashtu investimet në linjën unazore 110 Kv të Shqipërisë së Jugut morën 623 milionë lekë financim.
Ministria e Mjedisit gjithashtu ka alokuar 913 milionë lekë për mbylljen e vendeve ekzistuese të grumbullimit të mbeturinave. Kur kishin mbetur edhe dy muaj për mbylljen e vitit, qeveria shqiptare kishte shpenzuar vetëm 38 miliardë lekë nga fondi prej 62 miliardë lekësh.