NGA ADRI NURELLARI
Shqipëria ka hyrë tashmë në sezon elektoral dhe të gjitha sondazhet pikturojnë një tablo të zymtë, duke krijuar përshtypjen se këto janë zgjedhjet e para që do të zhvillohen me fituesin e paracaktuar dhe thjesht do të betonizojnë status quo-në, duke thelluar rezultatin e zgjedhjeve lokale. Të njëjtët sondazhe tregojnë se njerëzit janë të pakënaqur me mënyrën si shkojnë gjërat, por megjithatë, mbështetja për qeverinë ngelet më e lartë se për opozitën, e cila do të garojë e fragmentuar si rrallëherë më parë. Ndërkohë që një pjesë e popullit qëndron besnik ndaj “fanellave” të skuadrave të tyre partiake, pavarësisht performancës që ato kanë pasur, një pjesë tjetër e madhe e shqiptarëve kanë vendosur të votojnë “me këmbët” e tyre kundër gjithë elitës politike, duke u larguar prej vendit. E thënë troç me dy fjalë, sipas të gjitha gjasave, duket sikur do të kemi zgjedhje pa zgjidhje, dhe një rikonfirmim të një inercie që kërcënon të gllabërojë çdo shpresë për ndryshim.
Ndërkohë që sot qeveritarët flasin shpesh për “një epokë të re të inteligjencës artificiale” dhe për “qeverisje elektronike”, qytetarët përballen me një realitet krejt tjetër: furnizimi i vazhdueshëm me ujë të pijshëm mbetet ende një luks në shumë zona, pa folur për mungesën e një rrjeti të pandërprerë e cilësor të furnizimit me energji elektrike në shumë zona të vendit. Madje, edhe në Tiranë, qyteti më i madh i vendit, me të ardhura nominalisht më të larta, uji i pijshëm 24 orë nuk është arritur kurrë në formë të qëndrueshme. Ndërsa flitet për Tiranën, kryeqytet evropian kulture, sporti e gjithçka tjetër në të mungojnë kolektorët e ujërave të zeza, një infrastrukturë themelore e çdo qyteti europian. Rasti i Lanës është dëshmia më e qartë e kësaj kontradiktës mes shkëlqimit të fasadës dhe pluhurit të inercisë: ujërat e zeza derdhen në lumin që përshkon zemrën e Tiranës, në një nga kryeqytetet e vetme në Europë ku qindra mijëra njerëz shohin përditë mbetjet e zeza, duke lundruar në qiell të hapur, fare pranë kullave me çmime 3-4 mijë euro për metër katror. Është një kontrast therës dhe plot ironi: ndërsa nga njëra anë flitet me entuziazëm për “të ardhmen digjitale”, nga ana tjetër, kundërmimi i kolektorit Lana, na kujton se investimet më bazike për ta sjellë qytetin në nivelin e një metropoli europian mbeten ende një shpresë e largët.
Kuptohet që do ishte përmbushje shpirtërore për çdo shqiptar patriot që temë të ditës të ishin sfidat globale dhe ne të ecnim në hap me kohën. Pra, do ishte ideale sikur sot në Shqipëri të flisnim e aplikonim përparimet më të fundit teknologjike, si: Inteligjencën Artificiale, kompjuterët kuantikë, energjinë gjeotermale, mjekësinë gjenomike, pushtimin e hapësirës me ‘SpaceX’, metodat e reja të prodhimit të baterive, teknologjinë e kufjeve neurale, rrathët inteligjentë apo metaversin. Mirëpo fatkeqësisht na vjen një shuplakë realiteti nga Indeksi Global i Inovacionit, një renditje prestigjioze vjetore e vendeve, bazuar në kapacitetin dhe suksesin e tyre në inovacion, të publikuar nga agjencia e OKBsë Organizata Botërore për Pronësinë Intelektuale (WIPO). Sipas raportit të vitit 2024, Shqipëria e ka “arritur” pothuaj fundin e kontinentit, duke zënë vendin e 38-të nga 39 ekonomitë evropiane, me një sukses të vetëm: lënien pas të Bjellorusisë. Në nivel botëror, vijon “shkëlqimi”, me Shqipërinë në vendin e 84-të mes 133 shteteve. Pavarësisht klasifikimit si një ekonomi me të ardhura të mesme të larta, “ia kemi dalë” të qëndrojmë pas vendeve si Maroku, Filipinet, Tunizia, Mongolia dhe Vietnami, që kanë të ardhura goxha më të ulëta, por mesa duket, më shumë vizion dhe inovacion.
Ndërkohë që nëpër botë ecet përpara me shpejtësinë të madhe e flitet për tema si ekonomia ciklike dekarbonizimi i industrive të rënda, energjia e pastër dhe rrjetet inteligjente, ushqimi i qëndrueshëm, qytetet e mençura, ekonomia e bashkëndarjes, energjia komunitare, financat e gjelbra dhe fondet ESG, bioekonomia dhe teknologjitë biomimetike etj., etj., Shqipëria ngelet ndër vendet e fundit të Evropës për sa i përket shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve. Një studim i fundit i Bankës Botërore, i titulluar “Duke reduktuar distancat ekonomike”, analizon shpejtësinë mesatare të lëvizjes së automjeteve në vende të ndryshme, ka nxjerrë se shpejtësia mesatare e automjeteve në Shqipëri është rreth 33 kilometra në orë, një tregues që lidhet shpesh me vendet me të ardhura më të ulëta. Por për këtë të fundit nuk ka nevojë për raporte ndërkombëtare për ta vënë në dukje, mjafton të hipësh në makinë në një nga zonat kryesore urbane të Shqipërisë, për kuptuar se nga sfidat më të mprehta për qytetarët është trafiku i rënduar. Bëhet fjalë për një lumë makinash, që rrjedh ngadalë si një plagë e pashërueshme në arteriet e qytetit. Madje, mund të konsiderohet si një përbindësh të përditshëm, që iu vjedh qytetarëve jo vetëm orët e çmuara, të cilat mund të kaloheshin ngrohtësisht në gjirin e familjes, por edhe oksigjenin, duke i mbështjellë me mjegullën e smogut që gërryen bronket e mushkërive.
Lidhur me trafikun, qeveritarët bombardojnë opinionin publik me postime për metrat e shtruar të Unazës së Madhe të Tiranës. Bëhet fjalë për një projekt të përmendur që në epokën e Adil Çarçanit, në vitet e vona të komunizmit dhe që vazhdon të valëvitet si një fantazmë urbane, ende e papërmbyllur. Ndërsa përurimi i unazës me 28 kilometra pritet me bujë e padurim si të ishte Eurotuneli i Kanalit të La Mansh-it midis Anglisë dhe Francës apo Diga e Tre Grykave në Kinë, Tirana faktikisht ka nevojë për një unazë të re të jashtme të mirëfilltë, sepse kjo që po përfundon lë jashtë një pjesë të madhe të zonës urbane dhe ekonomike të kryeqytetit. Fat të ngjashëm me Unazën kanë edhe rrugët e tjera të shumëpërfolura si rruga e Arbrit dhe Qukës-Qafë Plloçë, disa dhjetëra kilometra magjistrale, ndërtimi i të cilave ka filluar në 2009. I tillë i tërhequr zvarrë është edhe trasimi i rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Me këtë elitë politike ne mund të arrijmë standardet ekonomike të Bashkimit Evropian jo pas pak vjetësh, por pas pothuaj një shekulli. Nëse para 15 vjetësh llogaritej se vendit tonë do t’i duheshin 7 dekada për të kapur standardet ekonomike, sot hendeku është thelluar dhe konvergjenca ka shkuar në 9 dekada. Sipas FMN-së, Republika e Shqipërisë gjatë vitit të fundit ka pasur rritje ekonomike prej 3.3% dhe nëse do të vazhdojmë me këtë normë të ulët të rritjes ekonomike, Shqipërisë do t’i nevojiten rreth 94 vite për të arritur mesataren e BE-së. Për të bërë një vlerësim sa më realist, kam përdorur një normë mesatare e rritjes për BE-në prej 1.64%, bazuar në të dhënat nga 1996 deri në 2024.
Në këtë situatë ku Shqipëria ndodhet mes një realiteti të ashpër dhe një retorike boshe për përparim, bëhet gjithnjë e më e qartë se ndryshimi i mirëfilltë nuk mund të vijë thjesht nga ndërrimi i aktorëve politikë tradicionalë brenda të njëjtit skenar, por te ndryshimi radikal i rregullave të lojës politike. Problemi kryesor qëndron tek vetë mënyra se si funksionon sistemi: një modus operandi i bazuar në improvizime të përhershme, mungesë vizioni dhe prioritizim të interesave meskine afatshkurtra mbi ato strategjike kombëtare. Shqipëria nuk ka nevojë për zëvendësim apo rotacion fytyrash tashmë të testuara në pushtet, por për një transformim rrënjësor të mënyrës se si ndërtohet dhe zbatohet politika publike, duke kaluar nga spektakli në rezultate konkrete, nga demagogjia në efikasitet. Sot po bëhet gjithnjë e më e qartë se Shqipëria nuk mund të përparojë duke ndenjur e robëruar nga “tirania e status quo-së” që sundon në Tiranë. Nuk mund të ndodhë ndryshimi i duhur me këtë elitë politike, e cila nuk ka interes të ndryshojë sistemin që i ka sjellë në pushtet.
Nuk mjafton vetëm përmirësimi në progresraportet e BE-së apo zbatimi i disa standardeve teknike. Vendi ka nevojë për një klasë politike të re që të reflektojë vlerat e europianizimit në thelbin e saj, duke vendosur kombin, qytetarin dhe mirëqenien e tij në qendër të politikës. “Tirania e status quo-së” në Tiranë, është më shumë se një frazë retorike; është një pengesë e vërtetë strukturore që nuk mund të rrëzohet pa një konsensus të gjerë shoqëror për të bërë një “restart” të plotë të mënyrës së funksionimit të sistemit. Europianizimi që përflitet lartë e poshtë nuk është thjesht një formalitet burokratik; është një proces që kërkon përqafimin e vlerave si liria, demokracia, sundimi i ligjit dhe aplikimin në praktikë të parimeve si transparenca, llogaridhënia, meritokracia dhe ndershmëria. Shqipëria ka nevojë për liderë të rinj të papërlyer, që të jenë jo vetëm të përgatitur profesionalisht, por edhe të përkushtuar ndaj këtyre parimeve themelore dhe interesit të atdheut. Pa këtë transformim të elitës dhe përqafimin e plotë të kulturës politike europiane, çdo përpjekje për ndryshim do të mbetet sipërfaqësore dhe e destinuar të dështojë. Vetëm duke ndërtuar një klasë të re udhëheqëse, të aftë dhe me vizion, Shqipëria mund të ecë përpara me shpejtësinë që meriton dhe mund të kthehet në një vend që jo vetëm synon, por edhe mishëron vlerat e vërteta europiane.